Biserko: Aksi Beograd-Banja Llukë-Podgoricë-Mitrovicë duhet të prishet

  • E.K /
  • 14 December 2020 - 15:36
Biserko: Aksi Beograd-Banja Llukë-Podgoricë-Mitrovicë duhet të prishet

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, tha për Deutsche Wellen se qëllimi i Beogradit është “ta përfundojë boshtin Beograd-Banja Llukë-Podgoricë-Mitrovicë e Veriut”.

Ajo shtoi se një plan i tillë duhet të prishet dhe të vlerësohet “se Serbia, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq është problem kryesor për qëndrueshmërinë e BeH dhe për vendosjen e paqes në Ballkan”.

“Një politikë e tillë e Serbisë ka ndikim të fortë në marrëdhëniet në rajon, sepse ajo vepron si një faktor destabilizues i cili, përmes komuniteteve serbe në të gjitha vendet fqinje, parandalon integrimin dhe konsolidimin e atyre vendeve”, vlerëson Biserko, raporton Jutarnji list.

Ajo shtoi se “Republika Srpska është një plaçkë lufte nga e cila Serbia nuk do të heqë dorë lehtë. Në strategjinë e sigurisë së Serbisë, mbijetesa e RS është përparësi”.

Beogradi, thotë ajo, beson se ka krijuar “marrëdhënie të mira diplomatike me të gjitha qendrat e pushtetit në botë” dhe se kështu ka fituar sadopak një rëndësi gjeostrategjike.

“Gjatë katër viteve të fundit, Beogradi ka arritur të t’i afrohet administratës së Trumpit, e cila e ka inkurajuar atë ta rrisë praninë e saj përçarëse, si në Bosnjë, ashtu edhe në Mal të Zi dhe Kosovë, madje deri në hapjen e mundësisë së një ‘rikompozimi’ të Ballkanit” , thotë Biserko.

Pa zgjidhur çështjen e Bosnje dhe Herzegovinës, “stabiliteti i Ballkanit mbetet i dyshimtë”, tha ajo, duke shtuar se për ta arritur atë, është e nevojshme të parandalohet ndikimi i Serbisë dhe Kroacisë.

Ajo thotë se “imperializmi dy-shekullor i Serbisë është i rrezikshëm”.

“Në mënyrë që Bosnja të bëhet një shtet funksional, është e nevojshme t’i jepet fund ndryshimit të kufijve dhe të parandalohet ndikimi i Serbisë. Imperializmi prej dy shekujsh i Serbisë është veçanërisht i rrezikshëm. Duke riafirmuar kufijtë ekzistues me garancinë e vendosur të bashkësisë ndërkombëtare, është e mundur të hiqet ndikimi malinj i të gjitha pretendimeve”, tha Biserko. 

(Kosova Sot Online)