Grabitje e armatosur në Ferizaj

  • E.K /
  • 15 December 2020 - 10:34
Grabitje e armatosur në Ferizaj

Katër persona të armatosur kanë hyrë në një depo ku kanë sulmuar rojën e objektit dhe i kanë marrë kuletën e telefonin.

Rasti ka ndodhur mesnatën e së hënës në Ferizaj, ku të dyshuarit kanë hyrë edhe në depo ku kanë vjedhur një shumë parash, e më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri dhe të ftohta.

“Viktima mashkull kosovar roje në një depo të materialit ndërtimor ka pësuar lëndime se ishte sulmuar fizikisht në vendin e punës nga katër persona të maskuar dhe armatosur me armë zjarri dhe të ftohta. Të dyshuarit viktimës ia kishin grabitur kuletën dhe një telefon celular. Të dyshuarit kishin hyrë edhe në zyrat e depos ku dyshohet se kishin marrë një shumë parash shuma e të cilave nuk dihet, pastaj ishin larguar në drejtim të panjohur”, ka bërë të ditur policia.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor.

“Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, viktimës i është ofruar tretman mjekësor, rasti vazhdon të hetohet”, thekson njoftimi i policisë.

(Kosova Sot Online)