Mbi 2 milionë fëmijë nuk kanë qasje në ndihma humanitare në Etiopi

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 10:38
Mbi 2 milionë fëmijë nuk kanë qasje në ndihma humanitare në Etiopi

Organizata e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF, ka thënë se rreth 2.3 milionë fëmijë në rajonin Tigray të Etiopisë nuk kanë qasje në ndihma humanitare që nga fillimi i konfliktit të armatosur në fillim të nëntorit.

Përmes një deklarate të publikuar të martën, kjo organizatë tha se gjendja do të përkeqësohet, nëse hyrja e ndihmave në këtë zonë vonohet, shkruan Anadolu.

“Mbrojtja e këtyre fëmijëve, shumë prej të cilëve janë refugjatë dhe të shpërngulur brenda vendit, dhe ofrimi i ndihmës humanitare për ta duhet të jenë prioritet”, thuhet në deklaratë.

UNICEF-i gjithashtu bëri thirrje për qasje urgjente, të qëndrueshme, të pakushtëzuar dhe të paanshme humanitare te të gjitha familjet që kanë nevojë, kudo që janë ato.

Në fillim të dhjetorit, Kombet e Bashkuara njoftuan se është arritur marrëveshje me Etiopinë për futjen e ndihmave humanitare në rajonin e përfshirë nga tensionet dhe luftimet.

Rreth 50.000 refugjatë etiopianë kanë ikur në Sudan për shkak të pasigurisë dhe shpërthimit të dhunës.

Më 4 nëntor, ushtria etiopiane nisi një operacion ushtarak kundër Frontit Popullor të Tigray-t për Çlirim, të cilët më parë e kishin sulmuar një kamp ushtarak, kishin vjedhur pajisje ushtarake dhe kishin vrarë ushtarë.

(Kosova Sot Online)