MPJ: Do të parashtrojmë kërkesa të vazhdueshme pranë BE-së që Serbia ta lirojë Blerim Maqastenën

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 12:50
MPJ: Do të parashtrojmë kërkesa të vazhdueshme pranë BE-së që Serbia ta lirojë Blerim Maqastenën

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një komunikate për media thotë se është duke u angazhuar intenzivisht për rastin e arrestimit dhe paraburgosjes nga ana e Serbisë, të shtetasit kosovar Blerim Maqastena.

Në këtë komunikatë nga MPJD-ja thonë se autoritet serbe nuk janë sjellë në mënyrë të duhur për këtë ngjarje, duke neglizhuar komunikimin dhe ndarë informacionet e nevojshme për rastin.

“Ata nuk po i marrin parasysh rrethanat në të cilat është bërë kalimi kufitar, ku dy qytetarët tanë, për shkak të kushteve atmosferike, pa dashje kanë dalë në territorin e vendit fqinj. MPJD, me të kuptuar se njeri qytetar është liruar, ndërsa z. Maqastenës i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për tridhjetë ditë, përmes Misionit të Posaçëm Diplomatik në Serbi, ka dorëzuar kërkesë formale pranë Gjykatës së Prokuples, për të lejuar Shefin e Misionit, Ambasadorin Jetish Jashari, që ta vizitojë z. Blerim Maqastena, në qendrën e paraburgimit në Prokuple ku është duke u mbajtur. Vizita është aprovuar dhe do të realizohet sot paradite”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet nga ministria se do të vazhdojnë të jenë në kontakt të vazhdueshëm më familjën dhe avokatin mbrojtës.

“Misioni ynë në Beograd, do të të jetë në komunikim të vazhdueshëm me familjen, si dhe me avokatin mbrojtës të z. Maqastena, që të ofroj ndihmën e vet në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimit të përcaktuar, në mënyrë që z. Maqastena ta ketë të gjithë ndihmën e mundshme në përballjen e tij me organet e gjyqësore të Serbisë. MPJD, do të ofroj të gjithë përkrahjen e nevojshme institucionale për këtë rast dhe do të parashtroj kërkesa të vazhdueshme pranë Bashkimit Evropian, si ndërmjetësues i Dialogut të Brukselit, që të ndikoj te autoritetet në Serbi, për ta liruar z. Maqastena dhe rastin ta kaloj te autoritetet kosovare për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)