Bitcoin arrin vlerë rekorde

  • A.P /
  • 16 December 2020 - 15:57
Bitcoin arrin vlerë rekorde

Vlera e valutës dixhitale Bitcoin e ka arritur nivelin më të lartë, duke shkuar në mbi 20.000 dollarë.

Kriptovaluta shënoi rritje për 4.5 për qind dhe arriti në 20 mijë e 440 dollarë. Vetëm gjatë këtij viti, vlera e kësaj valute është rritur për 170 për qind. Kjo rritje është nxitur nga kërkesa prej investitorëve më të mëdhenj, të cilët janë tërhequr nga mundësia për fitim të shpejtë, shkruan Reuters.

Një rrjedhje e madhe e kësaj valute është vërejtur nga Azia Lindore drejt Amerikës Veriore, e nxitur nga “uria” për Bitcoin në mesin e investitorëve të mëdhenj amerikanë.

Zhvillimi i kriptovalutës, të cilën disa investitorë e shohin si parajsë të investimeve, ka ndodhur në të njëjtën kohë me rënien e vlerës së arit muajve të fundit.

Pavarësisht vlerës së madhe, çmimi i saj në treg në të kaluarën ka shënuar luhatje të konsiderueshme dhe ka shfaqur mungesë të stabilitetit, duke bërë që investitorët t’i shohin metalet e çmuara si asetin më të sigurt për investime.


(Kosova Sot Online)