Vjen paralajmërimi: Po marrin fund privilegjet për politikanët shëtitës e parashutistë të apasionuar

Vjen paralajmërimi: Po marrin fund privilegjet për politikanët shëtitës e parashutistë të apasionuar
Vjen paralajmërimi: Po marrin fund privilegjet për politikanët shëtitës e parashutistë të apasionuar

Gani Qarri

  • 11 June 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duke qenë se legjitimiteti i një kandidati zgjedhor, qoftë për president, kryeministër apo edhe deputet të thjeshtë, nuk mund të vendoset më nga propaganda e egër elektorale dhe akuzat e shfrenuara pa fakte e argumente në parafushatat zgjedhore, bazuar më tepër te dashuria individuale e politikanit për vetveten, por nga besimi i krijuar me punë e kontribute konkrete për vendin dhe qytetarët, me këto zgjedhje (qofshin të fundit për këtë mandat), besoj se definitivisht po vendosen kufijtë e meritokracisë dhe po merr fund koha e dhurimit të privilegjeve të pamerituara për kandidatë të përkëdhelur dhe politikanë shëtitës e parashutistë të apasionuar, të cilët, si në lotari, tentojnë ta provojnë fatin arrivist, duke kaluar nga partia në parti!

 

-Kjo medoemos duhet të vlejë edhe për Vjosa Osmanin, e cila, parë edhe nga numërimi preliminar i votave, nuk i ka sjellë dhe aq përfitime, siç pretendohej apriori, LDK-së. Madje, derisa në zgjedhjet e dhjetorit 2025, LDK mori 119.201 vota pa Vjosa Osmanin, në zgjedhjet e 7 qershorit LDK-ja, edhe me tandemin e shumëproklamuar Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani, mori vetëm 121.956 vota, që, përkthyer në numra, na del një shifër prej vetëm rreth 2.700 deri 2.800 votash më tepër.

Shto gjithë kësaj faktin se para pesë vitesh ishte Albin Kurti, me partinë dhe fuqinë e vet politike, që e katapultoi Vjosa Osmanin në postin e të parës së shtetit, por pas pesë vitesh, që nga momenti i mosrizgjedhjes së saj presidente, ajo e konsideroi Albinin si armik personal dhe, përveçse e akuzoi për prishjen e raporteve ndërkombëtare, e paraqiti kryeministrin më të votuar të Kosovës edhe si problem serioz për stabilitetin e vendit, duke iu kundërvënë shumë ashpër dhe duke u treguar aq jofalënderuese e mosmirënjohëse ndaj tij, saqë gjatë gjithë fushatës zgjedhore dhe para saj nuk la fyerje e ofendim pa përdorur pikërisht kundër Albin Kurtit, politikanit që me partinë e vet e bëri Vjosën presidente.

Për aq më keq, Vjosa Osmani, ish-presidentja që nuk ka shpjeguar e dhënë asnjëherë asnjë sqarim para qytetarëve për qëllimet e takimeve të saj të fshehta, prapa shpinës së Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, me Richard Grenellin e Marko Gjuriqin etj. në Uashington, e fajësoi në mënyrë aq të ulët e arbitrare Albin Kurtin edhe për krizën institucionale dhe përdori shprehje aq të rënda, të cilat shkonin deri në kufijtë e propagandës “armiqësore” kundër tij, duke mos ngurruar ta cilësonte kryeministrin Kurti edhe si njeri “të papërgjegjshëm” dhe me “qëllime të rrezikshme” për shtetin. Andaj, nisur nga vetë fakti që LVV-ja e Albin Kurtit edhe aktualisht ka fituar bindshëm me mbi 43% të votave, tregon se Vjosa Osmani, edhe pas zbehjes së trishtë që pësoi në zgjedhje, sërish po përpiqet që dështimin e pësuar nga vota e qytetarit ta mbulojë me një lloj arrogance politike, duke i vënë kushte fituesit të zgjedhjeve që përsëri ta votojë për presidente. Por edhe me këtë rast është më se e sigurt se ajo do të dështojë keq dhe do të përjetojë zhgënjimin e radhës.

Derisa Vjosa Osmani, në vijimësi, gjatë gjithë kësaj kohe, ka ngritur dyshime të paargumentuara kundër kryeministrit me pretendimet më të rënda, pa ofruar asnjë fakt dhe pa dhënë asnjë argument bindës e autentik mbi vërtetësinë e akuzave të saj aq të paskrupullta, dhe tani, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme, ka fytyrë të kërkojë mbështetjen e të njëjtit njeri, pra kryeministrit që deri sot e shante në të gjitha format dhe mënyrat, kjo, përveçse është papërgjegjësi totale, është edhe tërësisht e pajustifikueshme, për të mos thënë edhe krejt qesharake dhe hipokrizi e llojit të veçantë, që të kërkojë sërish mbështetjen e po atij kryeministri për t’u rizgjedhur përsëri presidente e vendit, të cilin e udhëheq pikërisht Albin Kurti.

E nëse pretendimet e saj për të gjitha sa ka thënë për kryeministrin Kurti ishin të vërteta, ndërsa Vjosa Osmani në të njëjtën kohë për pesë vite me radhë ka qenë presidente, por ka heshtur në vend se të ndërhynte urgjentisht për moslejimin e zhvillimeve të pretenduara prej saj dhe qëllimisht ka pritur shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme për ta bërë shpalosjen e akuzave të pretenduara tragjikomike, atëherë për pretendimet e thëna nga zonja Osmani në fushatë dhe më parë, ajo vërtet mban përgjegjësi të pafalshme, që shkon deri në vepër penale. Ndërsa, nëse ato nuk ishin të vërteta, sjellja e saj duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë institucional e ligjor nga institucionet përkatëse të shtetit dhe të paditet ligjërisht nga organet kompetente për rrena e shpifje publike kundër kryeministrit të vendit.


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".