Mundësia e zgjedhjes së presidentit nga votat e popullit, LVV-ja është kundër

  • A.P /
  • 17 December 2020 - 19:30
Mundësia e zgjedhjes së presidentit nga votat e popullit, LVV-ja është kundër

Tash e disa javë vijon të dështojë mbledhja e partive politike rreth tryezës së paralajmëruar ku do të shqyrtohej çështja e zgjedhjes së presidentit. Mundësia për t’u arritur konsensusi ndërmjet partive duket e vogël, kur tri subjekte politike këmbëngulin në pozicionet e tyre. Lëvizja Vetëvendosje dëshiron me çdo kusht zgjedhje të reja dhe nuk do që të diskutojë për postin e presidentit para mbajtjes së tyre. Kandidatura e vetme e shprehur për president deri tash, është ajo e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në AAK shprehen se s’e votojnë asnjë propozim tjetër, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës thotë se votat e 24 deputetëve të saj mund t’i marrë vetëm ndonjë kandidat që vjen nga ky subjekt politik.

Kjo situtatë ka bërë që të konsiderohen ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt përmes votave të qytetarëve. Megjithatë, nuk dihet nëse këtë po e shqyrtojnë partitë politike. Por, sipas drejtorit të Institutit Kosovar i Drejtësisë, Ehat Miftaraj, kjo do të ishte zgjidhja më e përshtatshme.

“Në rrethanat e Kosovës me një demokraci parlamentare relativisht të re dhe në proces të ndërtimit të identitetit dhe përvojës kushtetuese dhe parlamentare, përcjellur me kriza kishtetuese dhe institucionale, zgjidhja më e përshtatshme në vitet në vazhdim pa dyshim se do të ishte zgjedhja e Presidentit të Republikës nga vota popullore. Një qasje e tillë po ashtu do të mund të arsyetonte faktin që në një demokraci parlamentare Presidenti te jetë kreu i shtetit dhe që përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës dhe garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë”, tha Miftaraj.

Sipas tij, kjo nuk mund ta bëjë legjislatura aktuale e Kuvendit. Siç tregon Miftaraj, për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit do të nevojitej ndryshimi i shumë dispozitave kushtetuese, e që sipas tij marrin kohë deri në tre vjet.

“Që një gjë e tillë të ndodh kërkon vullnet politik të partive politike të përfaqsuara në Kuvendin e Kosovës për të ndryshuar Kushtetutën e Kosovës e që në rastin konkret nënkupton reformë të thellë kushtetuese. Ndryshimi i qasjes së zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi te vota popullore, nënkupton ndryshimin e një numri të madh të dispozitave kushtetuese duke filluar prej formës së qeverisjes, dispozitave që ndërlidhen me Kuvendin e Kosovës, Presidentin, Qeverinë, etj. Që kjo të ndodh në praktikë, t’i qendroj kohës dhe të garantoj stabilitet politik dhe institucional, nevojitet përgatitje, konsultim mes partive politike, shoqërinë civile, praktikat më të mira ndërkombëtare, Komisionin e Venecias, OSBE-në, e që në terma kohor nënkupton së paku tre vite. Në këtë drejtim, realizimi i kësaj ideje pothuajse është i parealizueshëm gjatë kësaj legjislature”, tha Miftaraj.

LVV-ja kundër zgjedhjes së presidentit nga votat popullore

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, tha të mërkurën se nuk e favorizojnë zgjedhjen e presidentit përmes votave popullore. Për këtë, ai e përmendi edhe një arsye.

“Qëndrimi i Vetëvendosjes është që mos me qenë përmes popullit, por ky nuk ka qenë një qëndrim i Vetëvendosjes i cili ka të bëjë vetëm me vetë substancën e presidentit si të tillë. Ka pasur të bëjë më shumë me fuqinë e Parlamentit. Do me thënë fuqia e Parlamentit të mos zbehet”, ka thënë Konjufca.

Megjithatë, ai personalisht beson se zgjedhja e presidentit në të ardhmen do të bëhet përmes votave popullore.

“Unë, për shkak të kësaj që është duke ndodh, nuk e përjashtoj krijimin e një konsensusi të ardhshëm të forcave politike që presidentin me e zhvedos në popull. Do të vijë ajo situatë”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)