Izraeli “ia ftofë” Kosovës, pritet të shkojë në zgjedhjet e katërta brenda dy vjetëve

  • E.K /
  • 22 December 2020 - 09:59
 Izraeli “ia ftofë” Kosovës, pritet të shkojë në zgjedhjet e katërta brenda dy vjetëve

Izraeli është në rrugë për të shkuar në zgjedhjet e katërta brenda dy vjetëve pasi Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe partneri i tij kryesor në qeveri, Benny Gantz, dështuan që të zgjidhnin një mosmarrëveshje për buxhetin.

Kuvendi i Izraelit në orët e vona të së hënës votoi kundër përpjekjes së dy politikanëve kryesorë për ta shtyrë afatin e fundit për miratimin e buxhetit, shkruan Reuters.

Sipas ligjit, dështimi për ta miratuar buxhetin nënkupton që vendi duhet të shkojë në zgjedhje në mars. Deri tani, buxheti nuk është miratuar as nga deputetët, as nga qeveria dhe ky proces është pothuajse e pamundur që të kryhet brenda një dite.

Netanyahu, kryetar i partisë Likud dhe kryeministër, në maj të këtij viti e formoi qeverinë me kryetarin e partisë Kaltër e Bardhë, i cili shërben si ministër i Mbrojtjes. Kjo qeveri u formua pas tri palë zgjedhjeve nga prilli i vitit të kaluar.

Sipas marrëveshjes për koalicion, Netanyahu duhet t’ia dorëzojë Gantzit postin e kryeministrit të nëntor të vitit të ardhshëm dhe duhet të miratohet buxheti njëkohësisht për vitin 2020 dhe 2021.

Sidoqoftë, shumë analistë kanë thënë se Netanyahu, i cili është në proces gjyqësor për korrupsion, nuk do ta dorëzojë postin e kryeministrit, ndërsa Partia e tij ka kërkuar që buxhetet të miratohen në mënyrë të ndarë.

Mosmarrëveshja e tanishme për buxhetin e ka futur Izraelin në më shumë paqartësi ekonomike në fund të një viti kur rënia e prodhimit vendor pritet të bie për 4.5 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë është 12.1 për qind.

(Kosova Sot Online)