Pfizer dhe Moderna nisin testimin e vaksinave kundër variantit të ri të virusit

  • E.K /
  • 22 December 2020 - 12:45
 Pfizer dhe Moderna nisin testimin e vaksinave kundër variantit të ri të virusit

Kompanitë amerikane për prodhimin e ilaçeve, Pfizer dhe Moderna, janë duke i testuar vaksinat e tyre për të parë nëse ato funksionojnë kundër variantit të ri të koronavirusit, i cili është zbuluar së fundi në Britaninë e Madhe.

“Duke u mbështetur në të dhënat e deritashme, ne presim që imuniteti i nxitur nga vaksina e Moderna-s do të jetë mbrojtës ndaj varianteve që janë përshkruar së voni në Mbretërinë e Bashkuar. Ne do të kryejmë teste shtesë gjatë javëve të ardhshme për ta konfirmuar këtë pritje”, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.

Në anën tjetër, kompania Pfizer tha se është duke nxjerrë të dhëna për atë se sa munden mostrat e gjakut të personave të imunizuar me vaksinë që ta neutralizojnë variantin e ri të virusit nga Britania e Madhe.

Ndryshe, koronavirusi ka pësuar mutacione edhe më parë dhe të dyja kompanitë kanë thënë se kanë zbuluar që vaksinat kanë funksionuar kundër varianteve tjera të virusit, shkruan BBC.

Deklaratat e këtyre dy kompanive e pasqyrojnë shqetësimin në rritje në nivel botëror për një variant të ri të koronavirusit që është shfaqur në Mbretërinë e Bashkuar.

Ekspertët ende nuk janë të sigurt për rëndësinë dhe ndikimin e këtij mutacioni. Sidoqoftë, disa shtete tashmë kanë vendosur kufizime për udhëtimin e britanikëve në territoret e tyre për shkak të frikës nga varianti i ri i virusit.

(Kosova Sot Online)