Haradinaj për president, nga AAK flasin për punën e kandidatit për kryeministër

  • E.K /
  • 22 December 2020 - 12:20
 Haradinaj për president, nga AAK flasin për punën e kandidatit për kryeministër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) nuk ka vendosur ende se kush do të jetë kandidati i tyre për kryeministër të Kosovës.

Këtë e tha anëtari i AAK-së, Rasim Selmanaj, i cili shtoi se do të mblidhen për të vendosur për emrin e kandidatit që do të garojë për kryeministër të vendit.

Kjo pasi lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj është propozuar për President të vendit.

“Ju e dini që ne e kemi propozuar z.Haradinajn për President të vendit. Sot do të shkojmë në takim tek u.d e Presidentit. Do të na përfaqësoj z.Besnik Tahiri, sekretari i Përgjithshëm i partisë. Për shkak të situatës së krijuar së fundi në kohë të shkurtër ne ende nuk kemi vendosur se kush do të jetë kandidati i AAK-së për kryeministër. Do të mblidhemi dhe do të vendosim për këtë çështje”, ka thënë Rasim Selmanaj.

Të hënën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese mori shpalli aktgjykimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se përbërja e kabinetit qeveritar s’i kishte marrë votat e nevojshme, pasi që ky organ e cilësoi si të pavlefshme votën e ish-deputetit të dënuar me burgim, Etem Arifi.

“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash në konstatimet e Gjykatës Kushtetuese.

(Kosova Sot Online)