Kanadaja e miraton vaksinën e Moderna-s kundër koronavirusit

  • E.K /
  • 24 December 2020 - 09:59
 Kanadaja e miraton vaksinën e Moderna-s kundër koronavirusit

Kanadaja të mërkurën e miratoi për përdorim vaksinën e dytë kundër koronavirusit, atë që është zhvilluar nga kompania amerikane “Moderna”.

Kryeministri i këtij vendi, Justin Trudeau, tha se 168.000 dozat e para të vaksinës do të arrijnë në dhjetor, ndërsa 40 milionë doza tjera do të vijnë në faza deri në fund të vitit 2021.

Kanadaja ditë më parë e ka miratuar për përdorim edhe vaksinën e zhvilluar nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech”, e cila tashmë është duke u përdorur në Shtetet e Bashkuara dhe Britani të Madhe.

Të dyja vaksinat duhet të jepen me nga dy doza për të qenë efektive. Sidoqoftë, vaksina e kompanisë “Moderna” ka një përparësi të madhe, sepse mund të mbahet në temperaturë -20 gradë, ndërsa vaksina e “Pfizer”-it duhet të mbahet në temperaturë shumë më të ulët, -60 deri -80 gradë.

Kjo do të thotë se vaksina e kompanisë “Moderna” mund të shpërndahet më lehtë dhe të ruhet më lehtë në spitalet që nuk kanë ftohës specialë, shkruan Anadolu.

Kryeministri Trudeau ka thënë se 250.000 doza të vaksinës së “Pfizer”-it do të arrijnë në janar dhe kjo do ta çojë në 751.000 numrin e përgjithshëm të vaksinave që kjo kompani i dërgon në Kanada.

Pavarësisht se virusi po përhapet më shumë në javët e fundit, Kanadaja ka shumë më pak raste dhe viktima të sëmundjes Covid-19 në krahasim me Shtetet e Bashkuara. Deri të mërkurën, në këtë vend janë regjistruar mbi 530.000 raste dhe 14.572 të vdekur.

(Kosova Sot Online)