Britania e madhe ka vaksina kundër COVID-19 për gjithë popullatën

  • G.g /
  • 30 December 2020 - 12:23
Britania e madhe ka vaksina kundër COVID-19 për gjithë popullatën

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se vaksina kundër koronavirusit, e zhvilluar nga shkencëtarët e Oxfordit, do të jepet për herë të parë më 4 janar.

Rregullatorët mjekësorë britanikë e miratuan të mërkurën përdorimin e saj, duke konfirmuar se është e sigurt dhe efektive.

Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milionë doza nga prodhuesi AstraZeneca.

Hancock tha se 100 milionë dozat e vaksinës së Oxfordit, së bashku me 30 milionë dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech janë të mjaftueshme “për të vaksinuar gjithë popullatën”, përveç fëmijëve, me nga dy doza.

Grupet me përparësi në vaksinim tash për tash janë banorët e shtëpive të kujdesit, personat mbi 80 vjeç dhe punonjësit e linjës së parë në shëndetësi.Vaksina Oxford/AstraZeneca është krijuar në muajt e parë të këtij viti, është testuar te vullnetari i parë në muajin prill dhe që atëherë ka kaluar nëpër prova klinike në shkallë të gjerë, që kanë përfshirë mijëra njerëz.Kryeministri britanik, Boris Johnson, e cilësoi zhvillimin e vaksinaës së Oxfordit si “triumf” për shkencën britanike.

“Do të vaksinojmë sa më shumë njerëz, sa më shpejt që është e mundur”, tha Johnson.

Qysh më 8 dhjetor, mbi 600,000 njerëz janë vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar me vaksinën e kompanisë amerikane, Pfizer, dhe asaj gjermane, BioNTech.

(Kosova Sot Online)