OKB: Falja e vrasësve të civilëve, shkelje e ligjit ndërkombëtar, fyerje për drejtësinë

  • G.G /
  • 30 December 2020 - 12:55
OKB: Falja e vrasësve të civilëve, shkelje e ligjit ndërkombëtar, fyerje për drejtësinë

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut thanë të mërkurën se falja që presidenti amerikan, Donald Trump, ua dha katër burrave amerikanë për vrasjen e 14 civilëve në Irak, paraqet shkelje të obligimeve të ShBA-së sipas ligjit ndërkombëtar.

Nicholas Slatten ishte dënuar për vrasje të shkallës së parë, ndërsa Paul Slough, Evan Libert dhe Dustin Heard u dënuan për vrasje të vullnetshme dhe tentim-vrasje, shkruan Reuters.

Katër kontraktorët, të cilët punonin për kompaninë private të sigurisë, “Blackwater”, që është në pronësi të vëllait të sekretares për Arsim, u përfshin në një varg të faljes së dënimeve nga presidenti në largim.

“Falja e kontraktorëve të (kompanisë) Blackwater është fyerje për drejtësinë dhe viktimat e masakrës në Sheshin Nisour dhe familjarët e tyre”, tha Jelena Aparac, kryetare e grupit punues të Kombeve të Bashkuara për përdorimin e mercenarëve.

Ekspertët e organizatës më të lartë të sigurisë në botë thanë se Konventat e Gjenevës i obligojnë shtetet që t’i mbajnë përgjegjës kriminelët e luftës, edhe nëse ata veprojnë si kontraktorë privatë.

“Këto falje i shkelin detyrimet e ShBA-së sipas ligjit ndërkombëtar dhe, më gjerësisht, i minojnë të drejtat e njeriut dhe ligjet humanitare në nivel global”, thanë ata.

Falja e të dënuarve për vrasjen e civilëve është kritikuar ashpër edhe nga shumë figura në Shtetet e Bashkuara. Gjenerali David Petraues dhe Ryan Crocker, që në kohën e incidentit ishte ambasador i ShBA-së në Irak, thanë se veprimi i Trumpit është shumë i dëmshëm dhe se i tregon botës që amerikanët jashtë vendit mund t’i kryejnë krimet më të tmerrshme pa u dënuar.

(Kosova Sot Online)