Kabineti i Vjosa Osmanit konfirmon se iu ndanë nga 700 euro punëtorëve të Presidencës: Vendimi nuk vlen për stafin politik

  • E.K /
  • 30 December 2020 - 18:29
 Kabineti i Vjosa Osmanit konfirmon se iu ndanë nga 700 euro punëtorëve të Presidencës: Vendimi nuk vlen për stafin politik

Media më herët raportoi se si ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka vendosur që nëpunëseve civilë në Presidencë t’ua japë nga 701 euro e 75 centë më shumë për këtë vit. Pas publikimit të këtij lajmi, kanë reaguar nga Presidenca.

Shefi i Stafit të Osmanit, Faton Peci, e ka konfirmuar raportimin e medias, dhe është munduar ta sqarojë arsyen e marrjes së një vendimi të tillë.

“Duke pasur parasysh vendimin e Kryesisë së Kuvendit për kompensim shtesë të stafit të Kuvendit, u.d. Presidentja si udheheqese e të dy intitucioneve, përkunder që kishte votuar kundër, për të mos pasur vendimarrje selektive diskriminuese  pas pranimit të kërkesës nga Administrata e Presidencës për kompensim të stafit civil të Presidencës, ka njohur të drejtën e trajtimit të njëjtë ekuivalent me vendimin e Kryesisë së Kuvendit edhe për stafin civil të Presidencës. Ky vendim nuk vlen edhe për stafin politik”, ka shkruar Peci.

Ndryshe, një vendim të tillë Osmani e ka marrë me arsyetimin se, gjatë kohës së pandemisë, stafit civil të presidencës i është dashur të punojnë edhe me orar të zgjatur.

“Nëpunësve civilë të Zyrës së Presidentit u njihet e drejta e përcaktuar në paragrafin 1 të këtij vendimi, duke pasur parasysh faktin që Zyra e Presidentit funksionon me staf të pamjaftueshëm në raport me strukturën organizative dhe si rrjedhojë, në mbështetje të aktivitetit zyrtar të presidentit të Republikës së Kosovës, ka pasur mbingarkesë në punë dhe angazhim të shtuar jashtë orarit të punës, duke pasur parasysh edhe punën gjatë pandemisë COVID-19, gjatë vitit 2020”, thuhet në pikën dy të këtij dokumenti të siguruar nga media.

Nga ky vendim i Ushtrueses së Detyrës së presidentit kanë përfituar mbi 40 persona, që do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit plotë 30 mijë e 877 euro.

Zëvendësministri  i Financave, Agim Krasniqi, nga radhët e LDK’së, ka thënë se mjete financiare shtesë po ndahen pavarësisht faktit se presidenca i ka pagat e larta, teksa ka kritikuar ndarjen e shtesave edhe për administratën e Kuvendit.

“Lulëzim ekonomik për Kuvend e për Presidence të Republikës së Kosovës. Nuk po dije asgjë, unë nuk paskam kuptu e dëgju se në Kosove tani kemi rritje dhe lulëzim ekonomik. Nuk po e kuptoj si dikush ka humbur vendet e punës, si dikush nuk ka marr page fare këtë vit. Dy institucionet kryesore ne vend, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Presidenca e Kosovës këtë e paskan kuptuar sepse tani për festa te fund vitit po ndajnë krahas pagave te tyre te “ulta” edhe nga një shtese rreth 500-600 euro. A mund te pritet qe dhe stafit tjetër publik, sektorit privat dhe qytetareve qe kane paga te “larta” do t’i ndajnë nga 1000 euro ?”, kishte shkruar Krasniqi më 22 dhjetor, ditën kur edhe Osmani ka nënshkruar vendimin për shtesën që do ta marrin stafi në Presidencë.

Para shtesë janë ndarë edhe për Administratën e Kuvendit. Lidhur me këtë çështje në Kuvend ka folur edhe deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë Osmanit se po e merr ‘rrogën e 13-të”.

Artan Murati, nga stafi i Vjosa Osmanit, i është kundërpërgjigjur Haxhiut, duke thënë se një vendim i tillë për ndarjen e mjeteve finanaciare për stafin e Kuvendit është miratuar nga Kryesia e Kuvendit dhe se vetë Vjosa Osmani nuk e ka votuar.

“Bekim Haxhiu po flet te pavërteta ne foltore te Kuvendit. Nuk ka page te 13. Administrata e Kuvendit ka parashtruar kërkesë për një shtese ne pagën baze, duke u thirrur ne orët e tej zgjatura te punës. Pra, kërkesa për shtese nga Administrata është deponuar për punonjësit e administratës, jo për deputetet. Një rikujtim për z. Haxhiu (dhe te tjeret): Kuvendi tash e 10 vite e ndanë një shtesë te tille. Te paktën ne katër legjislaturat e kaluara, Kuvendi është udhëhequr nga bashkepartiak te z.Haxhiu. Interesant, kjo pune nuk eshte diskutuar nga askush.Per me tepër, Kryetarja e Kuvendit NUK E KA VOTUAR nje propozim te tille. Ai vendim është marre nga Kryesia e Kuvendit, me shumice votash. E ky Kuvend,  sivjet i ka kthyer Qeverise mbi 1.5 milion euro, nga kursimet. Fushatën politike bëjeni jashtë foltores se Kuvendit”, ka thënë Murati.

Edhe vetë Vjosa Osmani ka kundërshtuar pohimet e deputetit Haxhiu.

(Kosova Sot Online)