Kuvendi i Britanisë miraton me shumicë bindëse marrëveshjen për Brexit-in

  • G.G /
  • 31 December 2020 - 08:37
Kuvendi i Britanisë miraton me shumicë bindëse marrëveshjen për Brexit-in

Marrëveshja për tregti pas Brexit-it mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian është miratuar me shumicë bindëse të votave në kuvendin britanik dhe është shndërruar në ligj.

Trakti u miratua përmes një procesi të përshpejtuar. Kjo marrëveshje e nxjerr Mbretërinë e Bashkuar nga tregu i përbashkët i BE-së dhe unioni i doganave, por gjithashtu i jep fund mundësisë së vendosjes së taksave për mallra.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i falënderoi deputetët pas votimit dhe tha: “Fati i këtij vendi të mrekullueshëm tani qëndron fuqishëm në duart tona”, shkruan BBC.

Sidoqoftë, kundërshtarët e kësaj marrëveshjeje thonë se vendi do të jetë në gjendje më të keqe sesa para saj.

Marrëveshja u përkrah edhe nga laburistët e opozitës, pasi lideri i tyre, Keir Starmer, tha: “Një marrëveshje e hollë është më e mirë sesa të mos ketë marrëveshje”.

Britanikët votuan në referendum për t’u larguar nga Bashkimi Evropian në vitin 2016, por për këtë proces pati shumë mospajtime dhe u nevojitën më shumë se katër vjet që të arrihet marrëveshja përfundimtare.

(Kosova Sot Online)