Ky vend është afër të vaksinojë të gjithë popullatën

  • E.K /
  • 05 January 2021 - 13:12
Ky vend është afër të vaksinojë të gjithë popullatën

Një grumbull ishujsh në Oqeanin Paqësor që është ndër vendet ku s’ka raste me COVID-19, mund të bëhet një nga shtetet ku i gjithë populli mund të vaksinohet kundër sëmundjes.

Republika e Palaut, vend ku jetojnë rreth 18 mijë njerëz, ka marrë të shtunën dozat e para të vaksinës së zhvilluar nga “Moderna”. Vaksinimi nisi të dielën, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Fillimisht janë pranuar 2800 doza të vaksinës, që janë ndarë në dy grupe. Punëtorët shëndetësorë dhe grupet e ndjeshme do të jenë të parat që do të vaksinohen.

Deri tash, ky shtet s’ka regjistruar asnjë rast apo vdekje që lidhen me koronavirusin, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në janar, kur virusi nisi të shpërndahej në Azi dhe Paqësor, Palau ishte ndër vendet e para me kontrolle të rrepta në kufij, të cilët u mbyllën tërësisht në mars. Këto masa konsiderohen të duhurat për ruajtjen nga virusi, nga autoritetet.

Arkipelagu ka vetëm 117 milje katrorë.

Vendi ka zgjedhur vaksinën e “Modernas” sepse mund të ruhet në frigoriferë standardë dhe nuk do të ketë telashe me kërkesën sikur vaksina e “Pfizerit” që duhet të ruhet në temperatura deri minus 70 gradë Celsius.

(Kosova Sot Online)