Gjykata bllokon ekzekutimin e parë të një gruaje në ShBA disa orë para zbatimit

  • E.K /
  • 12 January 2021 - 11:56
Gjykata bllokon ekzekutimin e parë të një gruaje në ShBA disa orë para zbatimit

Një gjykatës federal në Indiana mori vendim në orët e vona të së hënës që ta bllokojë zbatimin e dënimit me vdekje ndaj Lisa Montgomery, e cila ishte gruaja e vetme që po e priste kryerjen e dënimit më të rëndë në Shtetet e Bashkuara.

Ky vendim u mbajt në fuqi më vonë edhe nga Gjykata e Apelit, duke bërë që ekzekutimi i mundshëm të shtyhet deri pas ardhjes së Bidenit në pushtet, nëse në këtë rast nuk ndërhyn Gjykata Supreme.

Ishte planifikuar që Montgomery të ekzekutohej të martën, më 12 janar. Ajo u dënua me vdekje në vitin 2007 në Missouri për rrëmbimin dhe vrasjen e Bobboe Jo Stinnett, që në atë kohë ishte shtatzënë në muajin e tetë. Pas vrasjes, Montgomery ia kishte prerë viktimës fetusin, por foshnja kishte mbijetuar.

Gjykatësi James Patrick Hanlon mori vendim që ekzekutimi i kësaj gruaje të pezullohet në mënyrë që të mundësohet mbajtja e një seance për të vlerësuar nëse e dënuara ka ndonjë gjendje që e bën të denjë për t’u liruar nga dënimi më i rëndë, shkruan Reuters.

Avokatja e kësaj gruaje, Kelley Henry, e mirëpriti vendimin e gjykatës dhe tha se gjykata ka vendosur drejt për ndalimin e ekzekutimit. “Zonjës Montgomery është duke iu keqësuar gjendja mendore dhe ne po kërkojmë një mundësi për ta dëshmuar gjendjen e saj”, tha avokatja përmes një deklarate.

(Kosova Sot Online)