Çka kishte deklaruar Fadil Syleviqi pas akuzave që i bëri dëshmitari i mbrojtur Shkumbin Mehmeti për vrasjet e pasluftës

  • G.G /
  • 15 January 2021 - 16:42
Çka kishte deklaruar Fadil Syleviqi pas akuzave që i bëri dëshmitari i mbrojtur Shkumbin Mehmeti për vrasjet e pasluftës

Ish-hetuesi i Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqi, është gjetur sot i vdekur te Liqeni i Badovcit.

Ai ishte i thirrur si dëshmitar nga Tribunali Special në Hagë.

Fadil Syleviqi ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa emri i tij është i njohur, sepse ka qenë pjesë e akuzave publike. Vëllezërit Ramadani dhe Kiqina, të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001 e kanë akuzuar Syleviqin se ua ka montuar rastin.

Emri i hetuesit të shumëpërfolur të Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqit, ishte përmend edhe në një intervistë në janar të vitit 2018 nga i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti, i cili foli për vrasjet e pasluftës në Kosovë. Mehmeti kishte akuzuar Syleviqin se ka urdhëruar disa vrasje gjatë kohës kur grupi i tyre kriminal ishte duke funksionuar. Hetuesi policor kishte folur rreth këtyre akuzave.

Shkumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vjet burg për vrasje, kishte rrëfyer për veprimtarinë e grupit kriminal, pjesë e së cilit ishte vetë ai, duke treguar vrasjet më të rënda kriminale të pasluftës, përfshirë edhe vrasjet politike.

Në intervistën e dhënë, Mehmeti derisa kishte përmendur emra të cilët, sipas tij, kanë urdhëruar vrasjet e pasluftës politike, kishte përmendur kalimthi edhe emrin e policit Fadil Syleviqi.

“Polici Fadil Syleviqi është i përshirë në shumë vrasje”, kishte thënë shkurt Mehmeti, duke mos treguar specifikisht në cilat.

Syleviq kishte thënë se nuk ka pritur ndonjë urim nga Mehmeti. Syleviqi kishte thënë se ishte pikërisht ai që e ndërpreu veprimtarinë e grupit kriminal, duke e arrestuar Shkumbin Mehmetin.

“U dasht Baton Haxhiu me pyet atë kush të ka arrestu. Maspari, unë e kam arrestuar atë grup. Mandej, janë ndërru shumë prokurorë, shumë gjykatës, ky është dënu si kriminel, është vërtetu fajësia e tij dhe në fakt, nuk di as për çka bisedojke ai. Është shumë normale që ka folë qasi far gjanash palidhje”, kishte thënë Fadil Syleviqi.

Syleviqi kishte thënë se Mehmeti dha ato deklarata për të sulmuar policinë e cila e arrestoi.

“Bashkë me disa kolegë të mi edhe e kam dërgu në burg, normal, nuk pres që ai me më dërgu urime të përzemërta”, kishte thënë Syleviqi.

“Mirëpo, Batoni është dashur t’i bëjë atij më shumë pyetje, e jo të lihet me aq. Unë e kam arrestuar atë më 7 prill, e kam paraqitë në prokurori, e cila më pas e ka proceduar dhe është dënuar, është tregu fajësia e tij dhe për këtë, nuk pres që ai mua të më urojë me ndonjë gjë, pos të flasë gjëra të tilla për mua” kishte shtuar ai.

Ndryshe, Shkumbin Mehmeti është i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasjen e policëve të UNMIK’ut në vitin 2004.

(Kosova Sot Online)