Policia arreston vëllanë e të dënuarit për terrorizëm në SHBA

  • E.K /
  • 19 January 2021 - 13:17
Policia arreston vëllanë e të dënuarit për terrorizëm në SHBA

Policia e Kosovës ka arrestuar vëllanë e Ardit Ferizit nga Gjakova, i cili tashmë është i dënuar me 20 vjet burgim në Shtetet e Bashkuara për vepra terroriste, ka thënë Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, pa dhënë detaje se kur ka ndodhur arrestimi.

Derisa ishte në burg, Ardit Ferizi ka bashkëpunuar më vëllanë e tij ku kanë kryer vepra penale, siç janë hyrje në informacione personale të qytetarëve të SHBA-së me qëllim të përftimit material, thuhet në një aktakuzë të ngritur në fillim të këtij muaji nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

“Policia e Kosovës ka trajtuar disa raste ku personi në fjalë ka qenë i dyshuar, kryesisht raste me element të sulmeve kibernetike”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës dërguar REL-it.

“I njëjti është arrestuar si i dyshuar për këto raste, për të cilat në kohën e kryerjes së veprës ka qenë i mitur. Të gjitha rastet janë proceduar me kallëzim penal në prokuroritë përkatëse”, thuhet tutje në përgjigje.

Policia nuk ka treguar se cili është roli i autoriteteve amerikane në rastin e arrestimit të kosovarit, mirëpo ka thënë se “ka pasur bashkëpunim edhe me institucione dhe autoritete tjera kompetente”.

Sipas aktakuzës, të dhënat janë vjedhur mes viteve 2017-2019. Ardit Ferizi, edhe pse i burgosur në një burg federal, kishte qasje në internet. Sipas aktakuzës, vëllai i Ferizit po menaxhonte edhe llogaritë e tij pasi Ferizi i shkruante atij të “mbajë e-mail-at aktivë dhe mos i lë të mbyllen”.

Në aktakuzë thuhet se vëllai i tij në Kosovë po menaxhonte disa llogari të kriptovalutave Bitcoin dhe Etherium, për të cilat llogari, autoritet amerikane thonë se janë të vjedhura.

Përveç llogarive të kriptovalutave, të dy vëllezërit dyshohet se kanë vjedhur edhe të dhëna personale të identifikueshme, lista të shumta të llogarive të vjedhura të postës elektronike, numra të pjesshëm të kartave të kreditit, fjalëkalime dhe informacione të tjera konfidenciale.

Sipas prokurorit, vjedhja e informatave ishin frytet e veprimtarisë kriminale të hakimit të Ferizit. Bazuar në një adresë IP që rezultoi se ishte nga Kosova, u përcaktua se vëllai i tij shkarkoi bazat e të dhënave të informacionit që ishin vjedhur.

Ardit Ferizi, 25 vjeç është një shtetas i Kosovës, i cili u deportua nga Malajzia në SHBA në vitin 2016 për t’u përballur me akuza për terrorizëm. Ai u deklarua fajtor për qasje të paautorizuar në informacionet kompjuterike, të dhëna që ua kishte dërguar një grupi terrorist. Këto të dhëna, kryesisht të ushtarëve dhe punonjëseve qeveritarë amerikanë, ua ka kaluar pjesëtarëve të të ashtuquajturit, Shteti Islamik (IS).

Në vitin 2016, Ferizi u dënua me 20 vjet burgim për vjedhje të të dhënave të afërsisht 1,300 personave që përdornin adresa me .mil dhe .gov.

Pas një ankese, dënimi i tij u zvogëlua në dhjetor të vitit 2020 dhe atij do t’i njihej koha e shërbyer në burg në SHBA. Për dhjetë vjet të tjera do të lirohej në Kosovë, por nën mbikëqyrje. Gjakovari po priste deportimin në Kosovë, kur Byroja Federale e Hetimeve (FBI), tha se ai kishte kryer krime tjera edhe gjatë kohës sa ishte në burg.

Më 6 janar të këtij viti, Ferizi ishte dërguar në një qendër paraburgimi në Pensilvani duke pritur të kthehej Kosovë. Nëse shpallet fajtor për akuzat e reja, Ardit Ferizi mund dënohet deri në 22 vjet burgim dhe një gjobë prej 250,000 dollarë amerikanë.

(Kosova Sot Online)