Larg prej pushtetit ata që vodhën 20 vjet pa ndalë dhe e nxorën në treg edhe sovranitetin e shtetit

Larg prej pushtetit ata që vodhën 20 vjet pa ndalë dhe e nxorën në treg edhe sovranitetin e shtetit
Larg prej pushtetit ata që vodhën 20 vjet pa ndalë dhe e nxorën në treg edhe sovranitetin e shtetit

Skender Mulliqi

  • 19 January 2021 - 07:52

Shkruan: Skënder Mulliqi

Në vend që të ngritët imazhi i Kosovës, ai ra përtokë në sytë e botës demokratike. Kosova mbeti e izoluar dhe mbeti pa liberalizim të vizave , se nuk u përmbush kushti , që të luftohen deri në fund krimi dhe korrupsioni nga BE. Nuk patëm investime dhe investitor të jashtëm. Nuk patëm njohje të reja, përkundrazi nga inercia e politikave të jashtme dhe nga lobimi serb, na ndodhën 17 çnjohje që është për çdo kritikë. Kosova mbeti e pa inkuadruar në shumë struktura evropiane. Nuk arritëm ta mposhtim politikën e Beogradit si politikë luftënxitëse dhe hegjemoniste. Madje, Serbia dhe Vuçiqi, arritën të faktorizohen në rajon dhe më gjerë. Arritën që të na i caktojnë axhendat e bisedimeve, madje në një periudhë me ndihmën e krerëve të dy shteteve shqiptare gati sa nuk na plasuan te dera planin shumë të dëmshëm për shkëmbime territoriale.

-Është koha që përfundimisht të largohen nga skena politike individët e inkriminuar në afera të ndryshme korruptive dhe është koha që të bien në opozitë partitë që e patën pushtetin për 20 vite, dhe nuk punuan mirë. Madje jo që nuk punuan mire por punuan aq keq sa që e sollën në pyetje edhe subjektivitetin e Kosovës. Asnjë sistem i jetës dhe i punës nuk u ndërtua mirë. Të gjitha janë duke funksionuar me defekte të mëdha. Kemi arsim të nivelit katastrofal, shëndetësi të dobët, organe të drejtësisë të ndikuara nga politikat ditore. Pushtetet e deritashme e futën ndikimin në çdo hallkë të pushtetit. Lulëzoje krimi dhe korrupsioni, nepotizmi , klientelizmi, kontrabandat e llojeve të ndryshme.

Konfliktet e brendshme politike për dominim dhe për pushtet ishin të tmerrshme. U formuan grupe të ndryshme politike dhe biznesore, të cilat përvetësuan çdo të mirë materiale , duke e varfëruar vendin skajshmërish. Nuk u interesua kush për gjeneratën e re , ku shumica kanë mbetur duke bredhur rrugëve për një vend të punës. Një pjesë e madhe e popullatës nga pa perspektiva e krijuar janë duke u larguar nga Kosova. Nga zgjedhjet nacionale të tetorit të vitit të kaluar është krijuar një klimë tjetër politike në vend. Fituan për herë të parë forcat përparimtare karshi forcave reaksionare politike. Dihet së si u rrezua qeveria e mirë e Kurtit, për tu zëvendësuar me një qeveri tjetër të Hotit, jashtë praktikave të deritashme ligjore e kushtetuese .Ra edhe qeveria Hoti, për të ardhur serish brenda një harku kohor të shkurtër te zgjedhjet e reja nacionale të 14 shkurtit. Tash është krijuar një fryme e re , është krijuar një vetëdijesim qytetar tjetër për dallim nga e kaluara, ku vota me gjasë nuk do të jepet në bazë të interesave afatshkurta apo dhe as bllanko.

Kurrë deri më sot nuk u realizuan as kërkesat minimale të qytetareve nga ata që ishin në pushtet, duke i pasuruar në mënyrë enorme dhe në mënyrë të paligjshme. Më 14 shkurt do të fitojnë LVV dhe Lista e Osmanit, si dy mundësi më të mira për kapërcimin e gjendjes permanente të krizave politike, ekonomike-sociale, dhe krizës nga pandemia globale. Është koha e fundit që Kosovën ta presin ditë më të mira. Nuk u ruajt sovraniteti dhe as territoraliteti i vendit si duhet. Humbëm 8200 hektar toke me Mal të Zi, humbëm 2000 hektarë toke me Maqedoninë e Veriut, u nënshkrua marrëveshje të dëmshme nga Thaçi dhe Mustafa, si ajo për Demarkacionin dhe "Zajednica" me disa kompetenca ekzekutive. Klasa politike në pushtet u tregua e dobët në planin e mbrëmshëm dhe të jashtëm politik. Nuk patëm diplomaci dhe as diplomat në nivelin e kërkuar.

Falë diplomacisë gjermane dhe të Haradinajt si kryeministër u evitua më e keqja. Sigurisht se në largimin e rrezikut për ndarje të Kosovës mbi bazat etnike , është ardhja në pushtet e Joe Bajdenit në Amerikë. Sigurisht se Kosova dhe bota do të merr frymë shumë më lehtë pas humbjes së pushtetit të kontroversit Donald Tramp, i cili deshi ta mbaj me dhunë pushtetin e tij autokratik. Politika e tij në planin e jashtëm ishte politikë sa edhe ne për pak shpëtuam pa ja pa sherrin me buxhak. Prandaj, forcave reaksionare në botë , edhe në Kosove ju ka skaduar afati .Kosova me 14 shkurt do të frymon krejt më ndryshe , më lirshëm edhe në aspektin e lirive fondamentale njerëzore dhe të të gjitha të drejtave të mohuara nga kastat që i patëm deri më tash në pushtet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".