Nuk respektuan masat anti-Covid, Inspeksioni i Prishtinës dënon AAK’në dhe Nismën

  • E.K /
  • 19 January 2021 - 15:41
Nuk respektuan masat anti-Covid, Inspeksioni i Prishtinës dënon AAK’në dhe Nismën

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate janë gjobitur me nga 2 mijë euro, për mosrespektim të masave anti-Covid.

Këto dy parti politike janë gjobitur për tubimet që kanë mbajtur në Prishtinë, ku nuk kanë respektuar masat anti-Covid që janë në fuqi.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri.

“Vazhdojmë me shqiptimin e gjobave për subjektet politike që organizojnë tubime në kundërshtim me vendimet qeveritare dhe ligjet në fuqi. Inspekcioni i Rendit Komunal po angazhohet në identifikimin dhe marrjen e masave ndaj secilit subjekt – shkelës të ligjit – brenda territorit të Kryeqytetit. Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, vlen për të gjithë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ndryshe, Inspeksioni i Prishtinës para pak ditësh ka dënuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për mosrespektim të masave anti-Covid.

(Kosova Sot Online)