Antony Blinken: Ambasada e ShBA-së mbetet në Jerusalem

  • E.K /
  • 20 January 2021 - 11:21
Antony Blinken: Ambasada e ShBA-së mbetet në Jerusalem

I caktuari i Bidenit për sekretar të Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se administrata e re do ta mbajë ambasadën amerikane në Izrael në qytetin e Jerusalemit.

“A pajtoheni që Jerusalemi është kryeqytet i Izraelit dhe a zotoheni se Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë ambasadën e tyre në Jerusalem”, pyeti senatori republikan, Ted Cruz.

“Po dhe po”, tha Antony Blinken gjatë raportimit në Senat në seancën konfirmuese për postin e ri, shkruan Anadolu.

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në dhjetor të vitit 2017 mori vendim që vendi i tij ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Në maj të vitit 2018, ShBA-ja e zhvendosi ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Jerusalemi është trungu i një konflikti të gjatë në Lindjen e Mesme. Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor, i pushtuar nga Izraeli më 1967, duhet të jetë kryeqytet i shtetit të Palestinës.

Blinken tha se e ashtuquajtura zgjidhje me dy shtete është mënyra më e mirë për sigurimin e të ardhmes së Izraelit si shtet demokratik çifut dhe që palestinezëve t’iu ofrohet një shtet që u takon.

Ai theksoi se është e rëndësishme që asnjëra palë të mos e vështirësojë edhe më shumë gjendjen që edhe ashtu është e tensionuar, duke shtuar se është vështirë të shihet ndonjë zgjidhje në një të ardhme të afërt.

(Kosova Sot Online)