Sloganet që kanë zgjedhur partitë për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit

  • E.K /
  • 21 janar 2021 - 12:19
Sloganet që kanë zgjedhur partitë për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit

Kanë mbetur edhe 24 ditë deri në datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Edhe pse fushata elektorale zyrtarisht do të nisë më 3 shkurt dhe do të përfundojë më 12 shkurt, partitë politike ka kohë që e kanë nisur atë duke shkelur hapur rregullat anti-Covid, për çka në anën tjetër qytetarët janë dënuar dhe vazhdojnë të dënohen çdo ditë.

Ndërsa po mbajnë tubime në restorante, oda, dhe po u shkojnë derë më derë qytetarëve pa qarë kokën për mundësinë e infektimit me Covid, shumica e partive kanë zbuluar edhe sloganet me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e reja.

Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë prezantoi sloganin e saj që do të qohet “Krejt dhe Drejt”.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, pasi e prezantoi sloganin nuk dha ndonjë shpjegim pse ky slogan, por shkruajti në Facebook se “Referendumi që do ta kthejë Kosovën kah e mbara, nuk mund të ndalet!”.

Por kandidatja për presidente nga Vetëvendosje, Vjosa Osmani, e cila do të garojë për deputete nën petkun e VV-së dha sqarime pse një slogan i tillë.

Fjalën “Krejt” e lidhi me “shumicën”, kurse “drejt” me fitoren.

“Krejt, sepse fryma mobilizuese është me shumicën, sepse ata e bëjnë dallimin!

Krejt, sepse vetëm shumica mund t’i bëjë ndryshimet!

Krejt, sepse sa herë që jemi bërë bashkë, kemi dalë fitues!

Drejt, sepse vetëm në këtë mënyrë e krijojmë diferencën!

Drejt, sepse vetëm me drejtësi garantohet përfaqësimi i barabartë qytetar!

Drejt, sepse i drejti gjithmonë del fitues!”, ka shkruar ajo

“Rimëkëmbje”

Partia Demokratike e Kosovës që në këto zgjedhje ka kandidat për kryeministër Enver Hoxhajn, në mungesë të Kadri Veselit që gjendet në Hagë, ka vendosur të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit  me sloganin “Rimëkëmbje”.

Si arsye pse kanë vendosur të garojnë me këtë slogan kanë deklaruar se duan ta rimëkëmbin Kosovën në të gjitha fushat.

“Mbesim në Lidhje”

Lidhja Demokratike e Kosovës që edhe në këto zgjedhje kandidon me Avdullah Hotin për kryeministër, ka përzgjedhur një slogan që lidhet me emrin e partisë.

“Mbesim në Lidhje” është slogani i LDK-së e shoqëruar bashku edhe me një zemër të kuqe, çka e kanë ndërlidhur edhe me ditën e të dashuruarve 14 shkurtin, ditë kur mbahen edhe zgjedhjet.

“Ramushi president 2021”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka slogan krejt ndryshe që nuk lidhet me qeverinë, por me presidencën.

“Ramushi president” është slogani i kësaj partie, pasi AAK në këtoi zgjedhje nuk ka kandidat për kryeministër.

Pretendimi i AAK-së është që lideri i tyre Ramush Haradinaj të bëhet president i vendit.

“Mbrojtja e vlerave kombëtare”

Partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate e cila në këto zgjedhje ka synim kalimin e pragut parazgjedhor si slogan ka “mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kombëtare”.

Në çdo takim që po mban me struktura kjo parti thotë se beteja e tyre është mbrojtja e vlerave kombëtare

(Kosova Sot Online)