Fotoja që habiti shumë njerëz, luani duket sikur po ia ha kokën gepardit

  • E.K /
  • 27 January 2021 - 11:37
Fotoja që habiti shumë njerëz, luani duket sikur po ia ha kokën gepardit

Një fotografi e publikuar në internet ka lënë shumë njerëz të habitur për një çast. Megjithatë, situata nuk është aq dramatike sa duket në shikim të parë.

Në të vërtetë, në fotografi është një mashtrim optik, sepse luani ndodhet më afër aparatit fotografik, ndërsa gepardi më larg, por ata janë në mënyrë të përsosur në të njëjtën vijë të pamjes, prandaj duken sikur janë ngjitur me njëri-tjetrin.

Fotografi i natyrës dhe kafshëve, Saeed Aljafar, arriti ta bënte këtë fotografi mahnitëse në Masai Mara të Kenisë, shkruan Daily Mail.'

“Gepardët u futën në territorin e luanit në mbrëmje dhe luani filloi t’i ndiqte ata, duke u përpjekur që t’i nxirrte jashtë territorit. Përderisa një nga gepardët ishte ulur më larg, luani u ndal për të pushuar dhe dukej sikur koka e gepardit ishte brenda gojës së luanit”, tha fotografi.

Aljafar ka përvojë të gjatë në fotografimin e luanëve, tigrave dhe kafshëve tjera të egra. Shtetasi i Kuvajtit e bën këtë punë që 28 vjet. Ai e bëri fotografinë e çuditshme me një aparat fotografik të tipit “Nikon D5”.

Parku Kombëtar “Masai Mara”, ku u bë kjo fotografi, ka rreth 850 deri 900 luanë. Në këtë park ka edhe gepardë, elefantë, hipopotame dhe zebra.

(Kosova Sot Online)