Dy homose*sualë goditen nga 77 herë me shkop

  • A.P /
  • 28 January 2021 - 15:52
Dy homose*sualë goditen nga 77 herë me shkop

Dy burra homoseksualë janë goditur nga 77 herë me shkop në Indonezi si dënim për shkeljen e Sheriatit duke kryer marrëdhënie seksuale mes personave të gjinisë së njëjtë.

Dhjetëra persona ishin dëshmitarë të ekzekutimit të dënimit me goditje ndaj një burri 29 vjeç dhe një tjetri 27 vjeç, të cilin e zbatuan pesë persona të maskuar plotësisht.

Këta dy burra u arrestuan në nëntorin e vitit të kaluar pasi banorët patën dyshime dhe e lajmëruan policinë fetare. Policia kishte hyrë në dhomën e tyre dhe i kishte zënë duke kryer marrëdhënie seksuale, shkruan Daily Mail.

Gjatë zbatimit të dënimit, personat që i godisnin të dënuarit pushuan pas disa goditjeve, duke u mundësuar të dënuarve që të pushojnë pak dhe të pijnë ujë para vazhdimit të goditjeve.

Nëna e njërit prej burrave të dënuar u alivanos kur e pa të birin duke u goditur me shkopin e gjatë.

Secili nga burrat ishte dënuar me nga 80 goditje, por u goditën nga 3 herë më pak për shkak se kanë qëndruar 3 muaj në burg.

Në të njëjtën ditë, këtë lloj dënimi e përjetuan edhe katër persona të tjerë, por për arsye tjera: pirje të alkoolit ose takim me persona të gjinisë së kundërt.

Ligji i Sheriatit zbatohet vetëm në rajonin Aceh, që shtrihet në veri të ishullit Sumatra. Në pjesët tjera të Indonezisë, marrëdhëniet intime mes personave të gjinisë së njëjtë nuk janë të ndaluara me ligj.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se goditjet me shkop janë mizore. Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, ka bërë thirrje që t’i jepet fund përdorimit të këtij lloji të dënimit. Sidoqoftë, rajoni ku zbatohet Sheriati ka autonomi të posaçme që nga viti 2001, pas kryengritjes së gjatë separatiste kundër qeverisë qendrore.

(Kosova Sot Online)