Pas aksidentit të tmerrshëm 22-vjeçari bëhet personi i pari në botë që bën transplant të fytyrës dhe dy duarve

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 07:34
Pas aksidentit të tmerrshëm 22-vjeçari bëhet personi i pari në botë që bën transplant të fytyrës dhe dy duarve

Një 22-vjeçar nga Nju Xhersi, që kishte pësuar lëndime të tmerrshme në një aksident rrugor, është bërë personi i parë në botë që i nënshtrohet një transplanti të fytyrës dhe të dy duarve.

Joe DiMeo kishte pësuar djegie të gradës së tretë në 80 për qind të trupit kur e zuri gjumi në timon ndërsa po kthehej në shtëpi nga një turn nate, në korrik 2018, duke bërë që makina e tij të përmbysej dhe më pas të shpërthente.

Edhe pse ai u nxorr nga flakët prej kalimtarëve, plagët e tij, çuan në prerjen e gishtave, dëmtime të rënda në fytyrë dhe humbje të buzëve dhe qepallave, ç’ka preku shikimin dhe aftësinë për të vijuar një jetë normale. Ai qëndroi në spitalin e djegieve për katër muaj dhe u fut në koma mjekësore për dy muaj e gjysmë. Por, tani ai thotë se ka një shans të dytë dhe jep një mesazh shprese. “Ka gjithnjë dritë në fund të tunelit, mos u dorëzoni kurrë”, tha ai në një konferencë për shtyp, pas procedurës së parë të këtij lloji që shfrytëzoi edhe prindimin 3D.

Operacioni u krye më 12 gusht 2020 dhe zgjati 23 orë. Në të u angazhuan 96 pjesëtarë të personelit shëndetësor, të udhëhequr nga kirurgu Eduardo Rodriguez. Vështirësia më e madhe, sipas mjekëve ishte gjetja e një donatori të përshtatshëm, për ç’ka u desh një kërkim në shkallë kombëtare, ndërsa vetë Joe, ishte pacienti i përkryer, plotë shpresë dhe motivim.

(Kosova Sot Online)