Lihen pa ushqim e avokatë protestuesit e arrestuar në Rusi

  • G.G /
  • 05 February 2021 - 10:32
Lihen pa ushqim e avokatë protestuesit e arrestuar në Rusi

Në një video që është publikuar në internet shihen kushtet e këqija në një qendër ndalimi në Rusi, ku po mbahen personat e arrestuar gjatë protestave për lirimin e figurës kryesore opozitare në këtë shtet, Aleksei Navalny.

Në pamje shihen rreth 20 persona të mbyllur në një qeli me vetëm tetë shtretër pa dyshekë dhe një tualet i papastër në këndin e dhomës, shkruan Free Europe.

Pas arrestimit të më shumë se 10.000 personave gjatë protestave anti-qeveritare, në Rusi kanë filluar të qarkullojnë edhe rrëfimet për keqtrajtim të të arrestuarve.

Atyre që po mbahen në qendrat e ndalimit u është mohuar qasja në avokatë, janë kërcënuar dhe janë lënë pa ushqim.

Një aktiviste ka thënë se forcat e sigurisë ia kanë vendosur një çantë në kokë pasi fillimisht e rrëzuan nga ulësja ku ishte duke qëndruar.

Në Shën Petersburg, dhjetëra familjarë u panë duke pritur para një qendre ndalimi për të kontaktuar me të afërmit e tyre.

“Ata (policët) e arrestuan bashkëshorten time në rrugë. Jo në protestë, në rrugë. Ajo ishte duke ardhur nga shtëpi nga furra e bukës. Policët vetëm i dolën përpara dhe e morën”, tha një burrë që po priste para qendrës së ndalimit.

Një burë thotë se policia ia arrestoi bashkëshorten që s’po merrte pjesë në protestë.

Të paktën, ai e dinte se ku ndodhet bashkëshortja e vet. Të tjerët thanë se nuk kanë ide se ku janë duke u mbajtur familjarët e tyre.

(Kosova Sot Online)