Godet diplomati izraelit: Aleati ynë është Serbia, njohja e Kosovës mund t’i dëmtojë marrëdhëniet

  • G.G /
  • 06 February 2021 - 10:17
Godet diplomati izraelit: Aleati ynë është Serbia, njohja e Kosovës mund t’i dëmtojë marrëdhëniet

Kreu për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, Dan Orian, thotë se njohja e Kosovës mund të dëmtojë marrëdhëniet me Beogradin në  një periudhë afatshkurtër.

“Nuk ka dyshime që Serbia nuk është e lumtur për këtë. Kosova është, siç thonë ata “Jerusalemi i tyre”. Por ata kanë shumë miq që e kanë njohur Kosovën, nga Izraeli tek Franca, Gjermania dhe shumë të tjerë. Megjithatë, për një kohë do ta kenë të vështirë sepse Serbia është shumë e afërt për neve”, citohet të ketë thënë Orian për agjencinë e lajmeve “Media Line”

Orian, i cili është gjithashtu ambasador jo-rezident në Maqedoninë veriore, shprehu besimin se Kosova dhe Serbia do të përmbushin detyrimet që ata morën në Uashington dhe se ata e dinë se çfarë është pjesë e marrëveshjes, duke aluduar, ndër të tjera, në premtimin e Serbisë për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem

“Aleati ynë më i afërt është pa dyshim Serbia, por ne gjithashtu kemi marrëdhënie të ngushta me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne gjithashtu kemi marrëdhënie të ngushta me Malin e Zi,” tha Orian, duke iu referuar vendeve të Ballkanit.

Më 4 shtator 2020, në prani të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan versione të ndara të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella ekonomike. Në njërën nga pikat, Serbia mori përsipër të zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem dhe Kosova njohjen reciproke me Izraelin.

(Kosova Sot Online)