Vendimi ndaj Vulinit për termin “shiptari” është në apel

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 14:00
Vendimi ndaj Vulinit për termin “shiptari” është në apel

Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar se vendimi për të hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vullin është miratuar më 28 dhjetor të vitit 2020, dhe se i njëjti nuk është i plotfuqishëm.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Gjykata e Lartë tha se nuk është në gjendje të komentojë sepse procedura e apelimit ndaj këtij vendimi është në proces.

“Në lidhje me këtë gjyqtari merr vendime në mënyrë të pavarur, në përputhje me vlerësimin që ai u bën fakteve dhe interpretimin e ligjit në përputhje me Kushtetutën”, tha Gjykata e Lartë në Beograd.

Të hënën deputeti shqiptar i parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Gjykata e Lartë në Beograd e ka hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vullin.

Këshilli e kishte paditur Vullinin vitin e kaluar për shkak të “gjuhës së urrejtjes” përkatësisht përdorimit të termit pezhorativ “shiptari”.

Deputeti Kamberi tha përmes një postimi në Facebook se refuzimi i gjykatës për të shpallur fajtor Vullinin “i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, edhe në kohën kur ka qenë ministër i Mbrojtjes, disa herë në paraqitjet e tij e ka përdorur termin pezhorativ “shiptari”. Vullin iu kishte përgjigjur kritikave për përdorimin e këtij termi, duke thënë se “ai do të vazhdonte t’i quante shqiptarët ashtu siç e quajnë ata veten”.

Partia Lëvizja Socialiste, të cilën e udhëheq Vullin, tha më 9 shkurt se fitorja e Vullinit në gjykatë dëshmoi se ai nuk ka fyer dhe diskriminuar.

Për përdorimin e këtij termi është zhvilluar një proces gjyqësor në Serbi.

Në fund të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Beograd mbi padinë e Anita Mitiq, një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, kundër tabloidit “Informer”. Gjykata sanksionoi përdorimin e termit “Shiptar” si gjuhë urrejtjeje. Ekziston edhe mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, sipas së cilës, thirrja e popullit shqiptar “Shiptar” është nënçmuese dhe fyen anëtarët e asaj kombësie.

Ajo gjashtë vjet më parë paraqiti mendimin se dy tabloide në Serbi, shkelën Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit sepse ata i quanin shqiptarët “Shiptari”.

(Kosova Sot Online)