Bideni ndërpret gjendjen e emergjencës kombëtare që Trumpi e përdori për murin

  • G.g /
  • 12 February 2021 - 15:28
Bideni ndërpret gjendjen e emergjencës kombëtare që Trumpi e përdori për murin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e hoqi zyrtarisht gjendjen emergjente kombëtare, të vendosur nga paraardhësi i tij, Donald Trump, që ishte përdorur për financimin e ndërtimit të murit në kufi me Meksikën.

Bideni tashmë ka dhënë urdhër për ndërprerjen e ndërtimit të murit kufitar që në ditën e parë në zyrë, shkruan Daily Mail.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë të enjten i dërgoi një letër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, me të cilën e njoftoi Kongresin se e ka anuluar shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare, që Trumpi e kishte bërë në shkurt të vitit 2019.

Bideni tha se dollarët e taksapaguesve amerikanë nuk do të ndahen më për ndërtimin e një muri kufitar dhe gjithashtru urdhëroi rishikim të të gjitha të hollave të shpenzuara në këtë projekt deri më tani.

Trumpi e kishte përdorur deklaratën emergjente si mënyrë për të siguruar menjëherë shuma të mëdha të parave për ndërtimin e murit kufitar. Të hollat e shfrytëzuara për këtë projekt ishin të caktuara fillimisht për Departamentin e Mbrojtjes.

Ish-presidenti amerikan pretendoi në atë kohë se në kufirin jugor të vendit është gjendje emergjente për shkak të trafikimit të drogës dhe njerëzve, kalimeve ilegale të kufirit dhe dhunës.

(Kosova Sot Online)