Gecaj: Komuna e Prishtinës, si kazermë ushtarake

  • E.K /
  • 12 February 2021 - 23:20
Gecaj: Komuna e Prishtinës, si kazermë ushtarake

Zv/Ministri Bajram Gecaj nga LDK-ja, thotë se kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti e ka shndërruar objektin e Komunës së Prishtinës padiskutueshëm në një kazermë ushtarake të Brigadave të Kuqe të Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV).

Dhe kjo, sipas tij është shkelja më e rëndë e tij, nga ato shumë e shumë premtime të dhëna qytetarëve të Prishtinës e të parealizuara kurrë.

“Shpendin si duket as që e pyet kush për vendime të tilla, madje-madje për këtë nuk pyetet as kryetari real (i vërtetë) i komunës, shefi i Shpendit, Dardan Sejdiu; derisa ‘komunari’ Shpend merret me politika ‘nacionale e globale’”, shkruan Gecaj në facebook.

Këto vendime, thotë ai, në fakt zihen e përzihen në kuzhinat e Brigadave të Kuqe, nga anarkistë me tendenca të çrregulluara e me mendje të prishtë, truri i të cilëve veç dëmtimin e shkatërrim e Republikës së Kosovës mund ta mendojë.

“Pos shtetit e pronës publike, këta paramilitarë na sulmojnë edhe dinjitetin individual, antarët e familjeve si dhe pronën e tyre private. Këto veprime të vazhdueshme janë jo vetëm shkelje premtimesh zgjedhore, por edhe tejkalim dhe keqpërdorimi më flagrant i kompetencave të autonomisë lokale”, thotë ai mes tjerash.

Gecaj thotë se nuk i kanë krijuar komunat që ato të shkatërrojnë shtetin, por që sipas tij, ato të jenë sa më afër nevojave të përditshme të qytetarëve, dhe këtë gjithherë në suazat e sistemit ligjorë dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës.

“Besoj fuqishëm se qytetarët e Prishtinës nuk do ta përsërisin kurrë më një gabim të tillë, derisa qytetarët e Republikës së Kosovës kanë mësuar se më në fund se LAV e ka vendin vetëm në pjesën e errët të historisë më të re të shtetit të ri të Kosovës”, përunfudon ai në statusin e tij.

(Kosova Sot Online)