Daka tregon pse të gjithë pacientëve nuk u mundësohet votimi

  • G.G /
  • 14 February 2021 - 16:05
Daka tregon pse të gjithë pacientëve nuk u mundësohet votimi

Përkundër dëshirës për të votuar, shumë pacientë nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre sot.

Për këtë ka reaguar sot edhe Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës. Nga ky Shërbimë i kanë kërkuar KQZ’së që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mundësuar votimin e pacientëve të shtrirë në klinika dhe spitale.

Mirëpo, kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, në një konferencë për media bëri të ditur se deri më 11 shkurt ka qenë afati që të regjistrohen si votues të gjithë personat e hospitalizuar.

Ajo ka thënë se nga kjo datë ka pasur mundësi që të shtohet numri i pacientëve, mirëpo procedurat janë të tilla që të votojnë vetëm ata që janë regjistruar deri më 11 shkurt.

“Afati ka qenë deri më 11 shkurt. Te të gjithë ata që janë regjistruar si votues me nevoja të veçanta kanë shkuar ekipet.  Nga data 11 ka pasur persona tjerë që janë shtruar në spitale, mirëpo është procedura që së pari kërkon të regjistrohen si votues e pastaj të votojnë si persona me nevoja të veçanta”, ka thënë ajo.

Fatin e njëjtë si të shumë pacientëve e ka pasur edhe Milaim Zeka.

Ai është infektuar me COVID-19 dhe është i shtrirë në spital, ku edhe po merr trajtim shëndetësorë.

Zeka ka thënë se KQZ’ja nuk ua ka mundësuar votimin me kusht.

“Nuk na mundësuan votimin me kusht, nuk e di pse. Për mua është e pakuptueshme pasi ekipet mobile kanë qenë në repartin ku jam i shtrirë dhe nuk ka mundësuan votimin me kusht, nuk e kuptoj këtë burokraci të KQZ-së. Prandaj unë si kuptoj këto burokraci, nga mijëra pacientë që janë të shtrirë nëpër reparte kanë votu diku vetëm 30-40 veta”, tha Zeka.

(Kosova Sot Online)