Sekretari amerikan: Marrëveshja Kosovë-Serbi për njohje reciproke kërkon gatishmëri

  • A.P /
  • 17 February 2021 - 17:08
Sekretari amerikan: Marrëveshja Kosovë-Serbi për njohje reciproke kërkon gatishmëri

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka uruar Kosovën në 13 vjetorin e pavarësisë, ku mes tjerash në urimin e tij ka përmendur arritjen e një marrëveshje me Serbinë të përqëndruar në njohje reciproke që do të kërkojë nga palët vullnet për kompromis.

Blinken përmes mesazhit të urimit ka përgëzuar edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

“Në emër të Qeverisë së SHBA-së, dua ta uroj Kosovën pasi feston përvjetorin e 13-të si shtet sovran dhe i pavarur. SHBA-ja është krenare në rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Republikës së Kosovës të pavarur, për t’u zhvilluar në një vend multi-etnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe përshëndesim përpjekjet tuaja për të normalizuara marrëdhëniet me Serbinë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. SHBA-ja vlerëson lidhjen e fortë mes njerëzve tanë dhe do të vazhdojë të përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. I uroj siguri dhe shëndet të mirë njerëzve të Kosovës, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për të tejkaluar sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19”, thuhet në mesazhin e urimit të kryediplomatit amerikan.

(Kosova Sot Online)