Driton Selmanaj i merr veç 12 vota

  • A.P /
  • 18 February 2021 - 22:13
Driton Selmanaj i merr veç 12 vota

Edhe pse me numrin dhjetë, në listën e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka arritur të sigurojë vetëm 12 vota në Komunën e Hanit të Elezit, nga rreth 3 mijë e 500 votues të regjistruar në këtë komunë, duke dështuar të fitojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Prej 11 vendvotime të Komunës së Hanit të Elezit, Driton Selmanaj nuk arriti të marrë asnjë votë në gjashtë prej tyre, derisa në dy vendvotime siguroi nga vetëm një votë.

Në Han të Elezit, kandidati më i votuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, rezulton Avdullah Hoti, bartësi i listës së LDK-së.

Kujtojmë, se LDK-ja si subjekt politik, fitoi 237 vota apo rreth 6 për qind në Komunën e Hanit të Elezit.

Fitore edhe në këtë komunë të Kosovës shënoi Lëvizja Vetëvendosje, me 1 mijë e 950 vota. LVV-ja arriti fitore në 22 komuna të Kosovës, derisa LDK-ja nuk arriti të fitojë në asnjë komunë, duke dështuar në gjitha vendvotimet.

(Kosova Sot Online)