Zyberaj thotë se iu vodhën votat: Kam informacione të sakta

  • A.P /
  • 07 March 2021 - 11:08
 Zyberaj thotë se iu vodhën votat: Kam informacione të sakta

Kandidati për deputet i AKR-së në listën e LDK-së, Jetlir Zyberaj ka publikuar dëshmi të cilat i ka prezantuar në PZAP për vjedhjen e votave nga komisionerët.

Zyberaj në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marr 3.563 vota dhe ka kërkuar rinumërim të plotë të votave pasi ai është shprehur se ka informacione të sakta qe ka ekzistuar plan i organizuar i vjedhjes së votave.

Ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar një deklaratë të një personi, i cili tregon se ka votuar në një vendvotim në Ferizaj për Zyberajn dhe që pas rezultateve të KQZ-së, vota në atë vendvotim për kandidatin nuk ka figuruar fare.

Tutje, Zyberaj shtoi se ky proces është degraduar tërësisht dhe organet kompetente duhet të reagojnë.

Postimi i plotë i tij:

Kjo është vetëm njëra nga dëshmitë e prezentuara në PZAP për vjedhjen e votave nga komisionerët e kriminalizuar. Unë kam informacione që do ti adresoj edhe në prokurori për vjedhjen e organizuar të votave.

Rinumërimi i plotë i votave është absolutisht i nevojshëm për të siguruar procesin e degraduar zgjedhor.

Informacionet e sakta thonë që ka ekzistuar plan i organizuar i vjedhjes së votave të presidentit Pacolli dhe votat e mija si kandidat. 

Rinumërimi i plotë do ti nxirrte në shesh kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre. Dënimi maksimal me burg ndaj këtyre kriminelëve do ta siguronte mbarëvajtjen e procesit në të ardhmen. Ky proces është i degraduar tërësisht dhe organet kompetente duhet të reagojnë.

(Kosova Sot Online)