Të gjithë shtretërit e Klinikës Infektive kyçen në sistem qendror me oksigjen

  • E.K /
  • 11 March 2021 - 15:41
 Të gjithë shtretërit e Klinikës Infektive kyçen në sistem qendror me oksigjen

Në Klinikën Infektive të QKUK-së, nga dita sotme është lëshuar në funksion sistemi qendror i furnizimit me oksigjen për të gjithë shtretërit e kësaj klinike. 

“Ky investim, i bërë nga ShSKUK, do të ofrojë siguri më të madhe për pacientët që kanë nevojë për oksigjen, e po ashtu do të lehtësojë punën e stafit shëndetësor”, thuhet në njoftim.

Për të parë investimin e bërë dhe funksionimin e këtij sistemi, dr. Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, ka vizituar Klinikën Infektive, me ç’rast është informuar për punimet e kryera.

Ai është njoftuar nga stafi i kësaj klinike se përmes këtij investimi do të jetë më i lehtë trajtimi i pacientëve dhe stafi i klinikës do ta ketë më të lehtë punën. 

Furnizimi me oksigjen qendror do të bëhet nga cisterna me kapacitet 20 mijë litra, investim ky i kryer në vitin e kaluar nga ShSKUK.

“Shtrirja e sistemit qendror të furnizimit me oksigjen, do të vazhdojë edhe në Klinikën e Pulmologjisë dhe klinikat tjera të QKUK-së”, përfundon njoftimi i tyre.

(Kosova Sot Online)