Shumë kandidatë për kryetar të LDK-së: Cili e meriton!

  • A.P /
  • 12 March 2021 - 16:52
Shumë kandidatë për kryetar të LDK-së: Cili e meriton!

LDK-ja në fund të kësaj jave e zgjedh kryetarin e ri, ndërsa pretendentët që po synojnë ta marrin drejtimin e partisë po shtohen dita-ditës.

Katër zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë në garë për ta udhëhequr partinë. Në një komunikatë të LDK-së të martën u përmend se ditëve të ardhshme do të ketë edhe kandidatë të tjerë që do të paraqiten. Kandidaturën e fundit të Besian Mustafës, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj e sheh si kontribut në garë. Ai nuk vëren ndonjë matematikë pas kandidimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Analistja Donika Emini s’e përjashton mundësinë që të ketë kalkulime pas kandidaturave të shpallura. Për të, shpallja e kandidaturës nga Besian Mustafa është e befasishme.

Por, duke konsideruar se kandidaturat mund të jenë normale, Emini vlerëson se problemi më i madh i tyre do të jetë pas zgjedhjeve në LDK. Ajo sheh se ky polarizim mund t’i sjellë probleme të brendshme partisë, që në duar ende e ka për ta trajtuar rezultatin më të keq të arritur ndonjëherë në historinë e saj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

“Unë e pashë të befasishme vetëm Besianin, sepse këto të triat [kandidaturat e Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikun dhe Anton Qunit] veçse janë folur më herët dhe ka pasur ambicie të shpërfaqura edhe paraprakisht. Kjo e Besian Mustafës ishte diçka e re që ndoshta mundet me qenë edhe për shkak të prishjes së matematikave, mirëpo kjo më shumë po reflekton edhe në mungesën e konsensusit në raport me atë se kush do ta udhëheq LDK-në pas zgjedhjeve”, ka thënë Emini.

“Kështu që, po reflekton një polarizim të brendshëm që mundet me qenë problematik pas zgjedhjeve sesa që do të jetë problem në proces. Megjithatë gara është e hapur dhe demokratike. Mund të kandidojë secili që ka ambicie tek e fundit”, ka shtuar ajo.

Analistja Donika Emini, megjithatë është e bindur se gara e vërtetë është ndërmjet Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut. Ajo nuk harron ta përmend as rolin dhe ndikimin e kryetarit aktual të LDK-së, Isa Mustafa, duke theksuar se ka shumë rëndësi që kryetari i ri të mos jetë i varur nga ai.

“Gara e vërtetë është absolutisht ndërmjet Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut. Ka një mbështetje të jashtëzakonshme për Lumirin, për shkak që po shihet edhe si gjeneratë e re brenda LDK-së dhe përkon që megjithatë mund ta kthejë elektoratin e ri, sepse e dimë shumë mirë se ata që e kanë votu LDK-në janë persona të moshës më të vjetër dhe kjo ndoshta përveç që përçon mesazhin se një gjeneratë e re po e udhëheq LDK-në, është edhe kjo ndërlidhja e Z. Abdixhiku me një elektorat që është relativisht i ri. Megjithatë, problematike do të jetë se sa personi që vjen në krye të LDK-së do të jetë i pavarur prej ndikimit që vjen nga Z. Isa Mustafa. Pavarësisht dorëheqjes së tij, shihet qartë se ka një ndikim të madh në LDK”, ka thënë Emini.

Të dielën, 335 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen për ta zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Atë ditë, siç parasheh statuti, zyrtarisht do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët. Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit [Isa Mustafa], mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.

Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve. 

(Kosova Sot Online)