Bideni ofron ndihmë për zhbllokimin e anijes së ngecur në Kanalin e Suezit

  • S.A /
  • 27 March 2021 - 08:31
Bideni ofron ndihmë për zhbllokimin e anijes së ngecur në Kanalin e Suezit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendi i tij është duke shikuar se çfarë mund të bëjë për ta liruar anijen 400-metërshe “Ever Given” nga bllokimi në Kanalin e Suezit, pasi kriza në transportin ujor u fut në ditën e pestë.

“Ne kemi pajisje dhe kapacitete që shumica e shteteve nuk i kanë dhe jemi duke shikuar se çfarë ndihme mund të ofrojmë”, tha presidenti amerikan të premten. Komentet e tij erdhën pasi një zyrtar tha se forcat detare janë të përgatitura që të dërgojnë një ekip të ekspertëve për gërryerjen e kanalit, por se është duke pritur për miratimin e autoriteteve të Egjiptit.

Ndërkohë përpjekjet për zhvendosjen e anijes u pezulluan të premtën vonë, ndërsa disa kompani të transportit ujor filluan t’i nisin anijet në një lundrim shumë më të gjatë, përreth jugut të Afrikës e nëpër ujërat e Oqeanit Atlantik, për ta shmangur krijimin e një kaosi edhe më të madh në kanal.

Kompania transportuese “Maersk” tha se 22 anije i janë prekur nga bllokimi i Kanalit të Suezit dhe se dy anije deri më tani i ka nisur drejt Kepit të Shpresës së Mirë, në skajin jugor të Afrikës, shkruan The Guardian.

Pronari japonez i anijes, Shoei Kisen Kaisha, tha se synimi është që anija të zhbllokohet të shtunën pasdite, por se nuk mund të garantojë se përpjekjet do të përfundojnë me sukses deri në atë kohë.

Bllokimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme të transportit ujor ka ndikuar menjëherë negativisht në çmime. Çmimi i transportit të karburanteve përmes detit gati është dyfishuar.

(Kosova Sot Online  )