Vendimi i Kushtetueses ndryshon zëvendësimet, këta janë dy deputetët e rinj të VV-së

  • E.K /
  • 30 March 2021 - 11:40
 Vendimi i Kushtetueses ndryshon zëvendësimet, këta janë dy deputetët e rinj të VV-së

Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zëvëndësimin e deputetëve, ka bërë që KQZ-ja të rishqyrtojë edhe një herë rekomandimet për kandidatët e radhës për deputetë, pas kërkesës nga ushtruesi i detyrës së Presidentit.

Zëvendësimi i deputetëve sipas votave dhe jo sipas gjinisë (bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese) ka sjellë ndryshim të emrave të kandidatëve që rekomandohen për zëvendësimin e deputetëve që u bënë ministra.

Nga Lëvizja Vetëvendosje do të jenë dy emra të rinj, Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli, të cilët do të zëvendësojnë dy deputetë që u bënë ministra.

Në vend të Mustafës dhe Dugollit, në fillim ishin Yllza Hoti e Gresa Bytyqi.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët do t’i zëvendësojnë deputetët që u bënë ministra, nga Lëvizja Vetëvendosje janë: Enver Haliti, Shqipe Isufi, Mirsad Shkreta, Gramos Agusholli, Alban Bajrami, Jahja Kokaj, Hudajet Hyseni Kaloshi, Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë të ditur se nga subjekti politik “Nova Demokratska Stranka-NDS”, është Samra Ilijaz, e cila do të zëvenësojë Emilija Rexhepin.

Nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës – IRDK”, është Fridon Lala, i cili do të zëvendësojë Elbert Krasniqin.

Nga subjekti politik Kosova Demokratik Türk Partisi – KDTP”, është Enis Kervan, i cili do të zëvendësojë Fikrim Damkën.

Në mbledhjen e kaluar, KQZ-ja kishte rekomanduar që dy deputete të cilat u bënë ministre të zëvendësohen me dy deputete tjera, por aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë rrethana të reja pasi shfuqizon nenin e ligjit që kërkon që zëvendësimi i një deputeti të bëhet vetëm me kandidatin e gjinisë së njëjtë.

(Kosova Sot Online)