Kufomat e vjetra zhvarrosen për t’i varrosur viktimat e Covidit

  • E.K /
  • 02 April 2021 - 09:48
Kufomat e vjetra zhvarrosen për t’i varrosur viktimat e Covidit

Qyteti brazilian i Sao Paulos i ka shtuar përpjekjet për t’i zhvarrosur kufomat e vjetra për të krijuar hapësirë për të vdekurit nga koronavirusi, numri i të cilëve po rritet me shpejtësi. Metropoli brazilian shënoi shifër rekorde ditore të varrimeve gjatë kësaj jave.

Në kohën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se pandemia i ka vendosur disa rajone braziliane në gjendje kritike, punëtorët që hapin varre punuan të enjten për t’i hapur varrezat e personave që kanë vdekur para disa vjetësh, duke i dërguar mbetjet e tyre në një vend tjetër.

Sekretari komunal për shërbime funerale tha se rivendosja e mbetjeve është procedurë standarde në operacionet në varreza. Megjithatë, kjo tani po bëhet me urgjencë, sepse Brazili është duke u përballur me valën më të rëndë të pandemisë që nga fillimi i saj para një viti, shkruan The Guardian.

Të mërkurën, Ministria e Shëndetësisë e regjistroi shifrën më të lartë ditore të viktimave të Covid-19 për të dytën ditë me radhë, me 3.869 të vdekur për 24 orë.

Brazili është shteti i dytë në botë me më së shumti raste, pas Shteteve të Bashkuara. Në këtë vend, mesatarja ditore e viktimave është 3.000, ndërsa numri ditor i rasteve të reja rreth 75.000.

Për shkak të numrit të madh të viktimave, autoritetet lokale në Sao Paulo po varrosin të vdekur edhe gjatë natës. Për disa varreza është dhënë autorizimi që të qëndrojnë të hapura deri në orën 22.

(Kosova Sot Online)