Nis me shpejtësi votimi për Presidentin, thirren deputetët e parë për të votuar

  • A.P /
  • 04 April 2021 - 17:47
Nis me shpejtësi votimi për Presidentin, thirren deputetët e parë për të votuar

Ka nisur me shpejtësi procesi i votimit të presidentit. Kryeparlamentari Glauk Konjufca që në fillim të seancës i ka kërkuar komisionit për zgjedhjen e presidentit që ta nis punën.

Deputetët sipas listës kanë filluar votimin.

Në mesin e deputetëve të parë të ftuar për pjesëmarrje në votim ka qenë edhe Agim Veliu, emrin e të cilit sipas rregullit, e ka thirrur kryeparlamentari.

Dje, për një votë më pak në kuti, LVV-ja dhe Lista Guxo nuk arritën ta bëjnë presidente Vjosa Osmanin. Procesi për zgjedhjen e saj dështoi që në tentimin e parë, i cili u përsërit, por pa sukses. Në votim nuk morën pjesë tre deputetë të LDK-së, ish partisë së Vjosa Osmanit. Por problemi nuk qe te mosvotimi i Avdullah Hotit, Agim Veliut e Driton Selmanaj, pasi pozitës i munguan dy deputetë të komuniteteve jo-serbe që pritej të ishin aty. Adem Hoxha nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom nuk morën pjesë në seancë, ndonëse kishte marrëveshje për këtë.

Kreu i partisë së goranëve, Adem Hoxha, ka takuar sot kryeministrin Albin Kurti. Ky takim ka sjellë edhe një marrëveshje mes tyre, që siguron pjesëmarrjen e tij në seancën për zgjedhjen e presidentit, dhe votën e 80 që të konsiderohet raundi i pare i suksesshëm. Në një prononcim për Reporterin, Adem Hoxha e ka konfirmuar “pazarin” me Albin Kurtin.


(Kosova Sot Online)