Dështojnë bisedimet, Etiopia, Egjipti e Sudani në konflikt për ujin e Nilit të Kaltër

  • G.G /
  • 06 April 2021 - 15:23
Dështojnë bisedimet, Etiopia, Egjipti e Sudani në konflikt për ujin e Nilit të Kaltër

Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit tha të martën se rundi më i ri i bisedimeve rreth digës “Rilindja” në Etiopi me Sudanin dhe Etiopinë, që u zhvillua më 4 dhe 5 prill, nuk ka shënuar ndonjë përparim drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

Delegacionet e tri shteteve afrikane u takuan në kryeqytetin e Kongos me shpresë që të gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth projektit për të cilin Etiopia thotë se është kyç për zhvillimin ekonomik të saj dhe prodhimit të energjisë.

Egjipti ka frikë se diga gjigante do ta rrezikojë furnizimin e tij me ujin e Nilit, ndërsa Sudani është i shqetësuar rreth sigurisë së digës dhe rrjedhjes së ujit në digat e tij dhe në stacionet e ujit, shkruan Reuters.

Muajin e kaluar, Egjipti dhe Sudani e paralajmëruan Etiopinë që të përmbahet nga çfarëdo veprimi i njëanshëm për mbushjen e digës dhe kërkuan më shumë përkrahje ndërkombëtare për ringjalljen e negociatave.

Ministrat e Jashtëm të Egjiptit dhe Sudanit madje u bënë thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të pajtohen me një propozim për ndërmjetësim në bisedime nën patronatin e presidentit të Kongos, i cili tash për tash është edhe udhëheqës i Unionit Afrikan.

Ministrja e Jashtme e Sudanit, Mariam al-Mahdi, tha se faza e dytë e mbushjes së digës e rrezikon mirëqenien e 20 milionë sudanezëve, duke i kërcënuar ata me etje.

(Kosova Sot Online)