Oliver Varhelyi letër Kurtit: Duhet rinisje e shpejtë e Dialogut

  • e.. /
  • 13 April 2021 - 12:19
Oliver Varhelyi letër Kurtit: Duhet rinisje e shpejtë e Dialogut

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i ka shkruar letër kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit, ku i ka kërkuar rinisje të shpejtë të dialogut për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj gjithashtu kërkon një vazhdim të shpejtë të Dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në letrën e Varhelyi.

Ai ka thënë se një gjë e tillë është jetike për rrugën e secilit shtet drejt BE’së.

“Kjo është thelbësore për rrugën përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet tutje.

Komisioneri i BE’së gjithashtu ka thënë se mezi pret që të takohet me kreun e Qeverisë së Kosovës.

Më tej, ai ka thënë se luftimi i pandemisë mbetet prioritet kryesor:

“Luftimi i pandemisë së koronavirusit dhe pasojave të saj socio-ekonomike do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen e parashikueshme. BE-ja tashmë ka siguruar ndihmë thelbësore dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës gjatë kësaj kohe sfiduese”.

(Kosova Sot Online)