Greqia mund ta njohë Kosovën?

  • A.P /
  • 14 April 2021 - 10:07
Greqia mund ta njohë Kosovën?

“Pozicioni i Greqisë për të mos njohur pavarësinë e Kosovës është i njohur dhe mbetet i pandryshuar”, tha ambasadori i Greqisë në Serbi, George Djakofotakis.

Ai komentoi mbi pritjet e analistëve të politikës së jashtme, David Phillips dhe Daniel Serwer që Greqia do ta ndryshojë pozicionin e saj dhe ndoshta do të njohë Kosovën.

“Në parim, ne nuk komentojmë mbi mendimet e analistëve. Pozicioni grek mbi mosnjohjen e Kosovës është i njohur dhe mbetet i pandryshuar”, tha Djakofotakis në një përgjigje me shkrim për mediumin serb, Tanjug.

Philips dhe Serwer thanë se ata nuk presin që pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën t’i ndryshojnë pozicionet e tyre, përveç Greqisë.

“Greqia ka shumë të ngjarë të njohë Kosovën. Muri që u krijua nga fakti që pesë vende nuk e njohën Kosovën së shpejti do të fillojë të shembet, kur Greqia ose ndonjë vend tjetër të vendosë ta njohë Kosovën”, tha Phillips.

Phillips dhe Serwer gjithashtu besojnë se pozicionet e pesë vendeve anëtare të BE-së duhet të shihen pas përfundimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. 

(Kosova Sot Online)