Varrezat në këtë vend s’kanë më vend për të vdekurit, protestojnë punëtorët

  • E.K /
  • 17 April 2021 - 11:39
 Varrezat në këtë vend s’kanë më vend për të vdekurit, protestojnë punëtorët

Punëtorët për hapjen e varreve në Romë protestuan të premten kundër grumbullimit të arkivoleve në varrezat e kryeqytetit italian, duke thënë se autoritetet lokale po dështojnë që ta menaxhojnë rritjen e numrit të të vdekurve nga koronavirusi.

Drejtorët e shërbimeve funerale thanë se mbi 2.000 trupa do të vendosen në krematoriumin e vetëm të Romës, në të cilin mund të kryhen rreth 50 shërbime funerale në ditë, përderisa hapësirat në varrezat tjera janë mbushur me kufoma në pritje për t’u varrosur. Madje, disa kufoma janë lënë ashtu që nga fillimi i vitit.

“Disa herë na thuhet se varrezat janë të bllokuara dhe se nuk kanë më hapësirë për të pranuar të vdekur”, tha Giovanni Caciolli, kryetar i shoqatës italiane të punëtorëve për funerale, shkruan Reuters.

Përmes një deklarate, kompania e këshillit të qytetit që merret me varrime pranoi se është duke u përballur me gjendje të pashembullt dhe se është duke punuar për krijimin e 60.000 hapësirave të reja për këtë qëllim.

Kjo kompani tha se Roma ka regjistruar mbi 4.700 të vdekur më shumë nga tetori i vitit 2020 deri në mars të këtij viti sesa në periudhën e njëjtë të viteve 2019-2020, ndërsa dukuria po vazhdon edhe gjatë muajit prill.

Ndryshe, Italia deri më tani ka regjistruar mbi 116.000 të vdekur nga Covid-19, që është një ndër shifrat më të larta në Evropë dhe në botë. Shumica e viktimave janë nga pjesa veriore e vendit, por muajve të fundit ka mjaft shumë të vdekur edhe nga pjesa qendrore dhe jugore e Italisë.

(Kosova Sot Online)