Covidi arrin edhe majën më të lartë në botë, infektohet alpinisti norvegjez

  • G.G /
  • 23 April 2021 - 09:25
Covidi arrin edhe majën më të lartë në botë, infektohet alpinisti norvegjez

Së paku një alpinist në majën më të lartë të botës, Malin Everest, ka dalë pozitiv në testin për Covid-19, vetëm disa javë pasi atraksioni i famshëm turistik u rihap për vizitorë një vit pas mbylljes.

Alpinisti norvegjez, Erlend Ness, u izolua në spital për tetë net për shkak të koronavirusit, rrëfeu ai për televizionin BBC.

Sipas raportimeve, me koronavirus është infektuar edhe një banor lokal.

Përhapja e virusit të ri në majën më të lartë të botës është goditje e rëndë për Nepalin, shteti ku ndodhet ky mal, sepse ekonomia e vendit është e varur shumë nga të hyrat që sigurohen prej të huajve që vendosin ta sfidojnë veten për ngjitje në Everest.

Alpinisti norvegjez nuk është i sigurt se ku mund të jetë infektuar, por tha se ka gjasë ta ketë marrë virusin përderisa ndodhej në një lokal çaji në Luginën e Khumbus.

Ai u dërgua në dy spitale të ndryshme në Nepal dhe doli pozitiv në testin për Covid-19 tri herë. Sidoqoftë, alpinisti tashmë është shëruar dhe doli negativ në testim të enjten.

Qindra alpinistë të huaj pritet t’ia mësojnë Malit Everest gjatë sezonit pranveror që filloi në prill, pasi rrugët drejt majës ishin mbyllur për një kohë të gjatë për shkak të pandemisë.

(Kosova Sot Online)