Presidenti Biden do të propozojë rritje taksash për të pasurit për ta financuar edukimin

  • G.G /
  • 23 prill 2021 - 10:48
Presidenti  Biden do të propozojë rritje taksash për të pasurit për ta financuar edukimin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, raportohet se do të propozojë rritje të taksave për shtresën më të pasur të amerikanëve.

Propozimi do ta rriste shkallën më të lartë margjinale dhe do t’i shtonte taksat ndaj fitimit në investim për personat e pasur, shkruan BBC.

Lajmi për këtë propozim shkaktoi shitje masive me çmime të ulëta në “Wall Street”, ndërsa indekset kryesore pësuan rënie gjatë sesionit tregtar të së enjtes.

Shtëpia e Bardhë tha se Plani Amerikan për Familjen, të cilin presidenti Biden pritet ta paraqesë të plotë javën e ardhshme, nuk do t’i prekë familjet që kanë më pak se 400.000 dollarë të ardhura në vit.

“Mendimi i tij është që rritja duhet të jetë në shpinën e amerikanëve më të pasur që mund ta përballojnë atë dhe në shpinën e korporatave dhe bizneseve që mund ta përballojnë atë”, tha sekretarja për Medie e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Sipas gazetave “New York Times” dhe “Bloomberg”, me propozimin e ri do të rritet taksa margjinale në të ardhura nga 37 në 39.6 për qind. Ky propozim do të ishte ndryshim i madh me politikat e ish-presidentit Trump, i cili në vitin 2017 ua uli taksat atyre që i kishin të ardhurat më të larta.

Propozimi i presidentit Biden pritet të kundërshtohet nga Republikanët në Kongres. Ndonëse Demokratët kanë një shumicë të thjeshtë, edhe ata mund të mos e përkrahin planin njëzëri.

(Kosova Sot Online)