Selimi u përgjigjet akuzave të Haxhiut për SHKK-në, shton se ajo po rrezikon mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

  • G.G /
  • 23 prill 2021 - 13:21
Selimi u përgjigjet akuzave të Haxhiut për SHKK-në, shton se ajo po rrezikon mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi iu është përgjigjur akuzave që iu janë bërë sot në konferencë për media nga ministrja Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu.

Në një shkrim në Facebook, Selimi ka thënë se këto akuza që iu janë bërë sot janë krejtësisht me motive politike.

“Më lejoni që të ju informoj, që rasti i tokës së ShKK-së është një proces i cili ka filluar para mandatit tim si Ministër. Ministrja Haxhiu e din këtë shumë mirë. Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin. Ftoj ministren që ne bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike ta publikojë gjithë dosjen. Nëse nuk e bën këtë ministrja, do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj. Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë”, ka thënë ai.

“Gjithashtu me vendimin për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, sot Ministrja ka vendosur që të rrezikojë mbrojtjen e të akuzuarve dhe ta prishë barazinë e armëve, rrjedhimisht duke ndikuar në dobësimin e pozicionit të mbrojtësve të Kosovës. Spin doktoratë e VV-së kanë bërë një gabim të madh të diversionit dhe kanë zgjedhur që të fillojnë një betejë të cilën do ta humbin”, shtoi Selimi.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në një konferencë për media ka dhënë më shumë detaje rreth shkeljeve që ka evidentuar Ministria Drejtësisë lidhur me drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

Ai tha se rasti ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim të një prone të Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë të kundërligjshme, në një zonë urbane në hyrje të qytetit të Vushtrrisë.

“Bëhet fjalë për një zonë urbane në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku bëhet fjalë për 2 hektar e 12 ari e 17 metra katror. Kontrata që është lidhur ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, Nehat Thaçi dhe ish-ministrit Selim Selimi në njërën anë dhe kompanisë të regjistruar pas afatit përmban huqje ligjore ku baza që janë mbështetur nuk i jep të drejtën e dhënies në shfrytëzim të parcelës prej 2 hektar e 12 ari e 17 metra katror”, ka thënë Sallahu.

Sipas tij akterët e përfshirë në këtë kontratë kanë dëmtuar buxhetin e shtetit duke i dhënë në shfrytëzim një kompanie private në vlerë prej 2100 euro, teksa e njëjta në vlerën e tregut kushton 50-100 mijë euro.

https://www.facebook.com/selimselimiks/posts/292457329155385

(Kosova Sot Online)