Sllovenia mohon se inicoi ndryshimin e kufijve në Ballkan, kryeministri s’shkon në Kuvend

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 12:15
 Sllovenia mohon se inicoi ndryshimin e kufijve në Ballkan, kryeministri s’shkon në Kuvend

Ministri i Jashtëm slloven, Anze Logar tha sot se nuk ka asnjë “non-paper” në Ballkanin Perëndimor që disa media ia atribuojnë Sllovenisë.

Sipas tij, diskutimet për këtë dokument e kanë dëmtuar Slloveninë si dhe Bosnje e Hercegovinën.

Në seancën e komitetit parlamentar për politikën e jashtme, ministri slloven nënvizoi se strategjia e Sllovenisë ndaj Ballkanit Perëndimor nuk ka ndryshuar dhe se Sllovenia ka bërë përpjekje shtesë, pasi përgatitja e samitit BE-Ballkan Perëndimor është prioriteti kryesor për Slloveninë gjatë presidencës së ardhshme të BE-së.

“Askush nuk pret që politikanët e opozitës ta denigrojnë vendin e tyre vetëm për ta dëmtuar shtetin në njëfarë mënyre. Thjesht nuk ekziston në një mentalitet të zhvilluar demokratik”, u citua Logar të thoshte nga agjencia e lajmeve STA e Sllovenisë.

Deklarata e tij pasoi një seancë të Kuvendit të kërkuar nga opozita pasi raportimet e mediave thonë se kryeministri Janez Jansha e kishte lëshuar një “non-paper” në lidhje me rivendosjen e kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkan.

Deputetët donin që Jansha, i cili mohoi të kishte lidhje me këtë “non-paper” të botuar, të paraqitej drejtpërdrejt, por ai nuk mori pjesë në seancë, duke përmendur një angazhim tjetër si arsye.

Këshilltarja për politikën e jashtme e presidentit slloven Borut Pahor, Smiljana Knez, u tha deputetëve se presidenti i kishte kushtuar vëmendje të madhe rajonit gjatë viteve dhe se ai ishte avokat i ruajtjes së integritetit territorial të vendeve në rajon dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të ndërsjella në frymën e fqinjësisë.

Ajo deklaroi se Pahor paralajmëroi udhëheqësit rajonalë dhe institucionet e BE-së se zgjerimi i BE-së nuk mund të jetë vetëm një proces teknik, por duhet të jetë i kornizuar gjeopolitikisht.

Këshilltarja e presidentit përsëriti deklaratën e Pahor se presidenti nuk ishte informuar për ndonjë “non-paper” në lidhje me Ballkanin Perëndimor që ishte objekt i raportimeve të medias.

Kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Slloveni, Jerneja Jug Jershe tha se Komisioni Evropian nuk ka njohuri për dokumentet joformale në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

Zyrtarët e BE-së në përgjithësi thanë se nuk dinin për një “non-paper” të tillë, ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i cili tha dje se nuk e kishte marrë një dokument të tillë por kishte dëgjuar për të, tha se ishte “pyetje inekzistente”.

I njëjti mesazh u dërgua nga Janez Stusek, drejtori i agjencisë sllovene të inteligjencës SOVA, i cili tha se agjencia nuk kishte asnjë informacion në lidhje me ekzistencën e një “non-paper” të pretenduar.

Agjencia filloi t’i shqyrtojë disa aktivitete në lidhje me dokumentin pasi ai u botua në media, veçanërisht pasojat e tij të mundshme për marrëdhëniet bilaterale me Bosnje e Hercegovinën dhe presidencën e ardhshme të BE-së.

Sipas Stusek, agjencia nuk ka informacion që tregon se botimi i dokumentit përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të Sllovenisë, por ai vlerësoi se nëse “non-paper” e pretenduar vazhdon të lidhet me Slloveninë, kjo mund të rrezikojë sigurinë e saj ekonomike dhe interesat politike në rajon.

E gjithë historia nisi në 12 prill, kur një portal boshnjak botoi një artikull ku thuhej se kishte një “non-paper” plan për ndyshimin e kufijve në Ballkan, që i atribuohej Sllovenisë. Dokumenti jozyrtar që flet për ridefinim të kufijve në Ballkan, konkretisht shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

(Kosova Sot Online)