Simmonsit i duket interesant mohimi i Gjermanisë: A po e pranon ambasadori se ekziston një “non-paper”?

  • G.G /
  • 27 April 2021 - 12:44
Simmonsit i duket interesant mohimi i Gjermanisë: A po e pranon ambasadori se ekziston një “non-paper”?

Ish-shefi i gjykatësve të misionit evropian në Kosovë, EULEX, Malcolm Simmons, i ka reaguar ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili mohoi se ekziston një “non-paper” i Gjermanisë dhe Francës lidhur me pikat e marrëveshjes përfundimtare që duhet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Atij i duket se ambasadori gjerman megjithatë e pranoi se ekziston një “non-paper”, pasi tha se mund të ketë ndonjë letër, burim i së cilës nuk është Gjermania apo Franca.

“Koment interesant: “Mund të ketë një letër…” A është ky një pranim Ambasador se ekziston, me të vërtetë, një “non-paper”?”, shkroi Simmons në Twitter.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë “non-paper” i publikuar mediat është “fake news”.

“E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, sic e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, shkroi Rohde në Twitter.

“Non-paper”, ku përkufizohet procesi që do të çonte në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është publikuar dje. Letra thuhej se ishte nismë gjermano-franceze, gjë të cilën e mohoi ambasadori gjerman.

Kjo letër, që është dërguar në adresë të express, ndër tjerash përmend njohjen e Kosovës nga Serbia dhe se të dy shtetet duhet të pajtohen që të themelohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse.

(Kosova Sot Online)